Shqipëria ka marrë dritën jeshile për mbylljen e përkohshme të një tjetër kapitulli në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Bëhet fjalë për Kapitullin 20, “Politika e ndërmarrjeve dhe ajo industriale”, i cili pritet të mbyllet zyrtarisht më 13 tetor, gjatë Konferencës së 10-të të Anëtarësimit Shqipëri-BE në Luksemburg.

Me këtë hap, Shqipëria do të çojë në katër numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht. Në korrik u mbyllën tre të parët: Kapitulli 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitulli 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitulli 30 për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kryeministri Edi Rama reagoi duke e cilësuar zhvillimin pjesë të “numërimit mbrapsht” drejt objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria mbyll kapitullin e katërt, nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik”, shkroi Rama, duke theksuar se Kapitulli 20 lidhet drejtpërdrejt me investimet, inovacionin, konkurrueshmërinë dhe punësimin.

Kapitulli 20 përfshin politikat që synojnë krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznesin, rritjen e konkurrueshmërisë së industrisë dhe mbështetjen e ndërmarrjeve.

Shqipëria i ka hapur tashmë të gjithë grupkapitujt negociues, ndërsa procesi ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve, paralelisht me monitorimin e reformave dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu