
Portreti i Napoleon Zervës është hequr nga Galeria e Artit në Derviçian të Dropullit, pas reagimeve të forta që shkaktoi ekspozimi i tij.
Zerva, ish-drejtues i forcave nacionaliste greke EDES gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një figurë që për shqiptarët e Çamërisë lidhet me masakrat dhe dëbimin e popullsisë shqiptare myslimane nga Çamëria gjatë viteve 1944-1945.
Vendosja e portretit të tij në galerinë e Derviçianit solli reagimin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, i cili e cilësoi ekspozimin një “provokim të rëndë ndaj shqiptarëve” dhe një fyerje ndaj kujtesës së viktimave çame.
Fondacioni kërkoi nga Bashkia Dropull heqjen e menjëhershme të portretit dhe një shpjegim publik për rrethanat në të cilat ai ishte përfshirë në ekspozitë. Gjithashtu, iu kërkua qeverisë shqiptare të verifikonte se kush e kishte propozuar dhe miratuar ekspozimin.
Pas reagimeve publike, organizatorët e ekspozitës e kanë hequr portretin e Zervës nga galeria.
Çështja ka rikthyer në vëmendje një nga temat më të ndjeshme historike në marrëdhëniet shqiptaro-greke, atë të popullsisë çame dhe ngjarjeve të viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore.






