
Shtatë vatra zjarri vijojnë të mbeten aktive në vend, ndërsa gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 14 zjarre. Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe avioni zjarrfikës “Air Tractor”.
Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan të bashkisë Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe forcat po punojnë për të penguar përhapjen drejt zonave të banuara.
Në zonën e Dajtit vijon ndërhyrja e zjarrfikësve, Administratës së Zonave të Mbrojtura, Forcave të Armatosura dhe helikopterit të Forcës Ajrore, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në qarkun e Elbasanit puna vazhdon në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe Mjekësit. Dy prej tyre janë vënë nën kontroll dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Zjarri vijon edhe në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, ku flakët kanë përfshirë një zonë të mbrojtur, por pa rrezikuar banesat.
Ndërkohë, vatra në Penkovë të Selenicës është shuar plotësisht, ndërsa situata është vënë nën kontroll edhe në Vërzhezhë të Skraparit. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një zjarri në shkurre.






