Kriza e ujit të pijshëm në Gostivar vijon, ndërsa autoritetet njoftojnë se uji mbetet i papërshtatshëm për konsum dhe mund të përdoret vetëm për qëllime teknike, higjienë personale dhe pastrim.

Pas mbledhjes së Shtabit të Krizës, ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, deklaroi se ndalimi do të hiqet vetëm pasi të dalin tre analiza të njëpasnjëshme që konfirmojnë mungesën e bakterit në të gjitha pikat e monitorimit.

Sipas autoriteteve, në rrjet vazhdon të jetë i pranishëm bakteri Pseudomonas aeruginosa, i cili zakonisht shfaqet në ujë të ndenjur. Për këtë arsye po vazhdon procesi i hiperklorinimit dhe do të shtohen kontrollet në pika të ndryshme të rrjetit të ujësjellësit.

Qytetarëve u është bërë thirrje të lënë ujin të rrjedhë sa më shpesh nga çezmat, pasi kjo ndihmon në pastrimin e rrjetit.

Uji në Gostivar është ndaluar për konsum që prej 17 korrikut, pasi autoritetet konstatuan se për 22 ditë në sistem ishte futur ujë i ndotur me fekale. Më 19 korrik u shpall epidemi, ndërsa dy ditë më vonë qeveria shpalli gjendjen e krizës 30-ditore në qytet.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu