Tre sulme me bomba artizanale në orët e para të mëngjesit kanë tronditur qytetin e Selanikut në Greqi, duke shënjestruar banesat e anëtarëve të partisë në pushtet, Demokracia e Re.

Sipas policisë greke, sulmet ndodhën mes orës 04:00 dhe 04:45 dhe u kryen me mjete shpërthyese të improvizuara të mbushura me bombola gazi kampingu.

Pesë persona mbetën të plagosur. Më i rëndë ishte sulmi i tretë, ku disa makina dhe motoçikleta u përfshinë nga flakët. Një automjet i përkiste një kandidateje për deputete të partisë Demokracia e Re. Ajo pësoi djegie, ndërsa nëna e saj u shtrua në terapi intensive me plagë të rënda.

Tre banorë të tjerë të pallatit u dërguan në spital pasi thithën tym gjatë zjarrit.

Sekretari i Komitetit Politik të Demokracisë së Re, Konstantinos Kyranakis, i cilësoi ngjarjet si një “sulm terrorist”, duke deklaruar se autorët “synonin të vrisnin” dhe se partia nuk do të frikësohet nga aktet e dhunës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve, ndërsa sulmet ndaj objekteve shtetërore, politikanëve apo institucioneve në Greqi janë përsëritur edhe vitet e fundit, megjithëse zakonisht kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu