
Një nga grupimet më konservatore të Kishës Katolike, Shoqëria e Shën Piut X (SSPX), ka shuguruar katër ipeshkvë të rinj në Zvicër, duke sfiduar drejtpërdrejt thirrjen e Papa Leonit XIV dhe paralajmërimet e Vatikanit për shkishërim automatik.
Ceremonia u zhvillua në Écône të Zvicrës, ku morën pjesë rreth 17 mijë besimtarë. Vatikani kishte kërkuar anulimin e shugurimeve, duke i cilësuar ato një “mëkat me rëndësi të jashtëzakonshme” dhe kishte paralajmëruar se ipeshkvijtë e rinj do të përballeshin me shkishërim nëse ceremonia do të zhvillohej.
Ky është konflikti më i rëndë i brendshëm me të cilin përballet Papa Leoni XIV që nga zgjedhja e tij në krye të Kishës Katolike dhe rrezikon të çojë në përçarjen më të madhe të Kishës në këtë shekull.
Shoqëria e Shën Piut X u krijua në vitin 1970, në kundërshtim me reformat e miratuara nga Koncili i Dytë i Vatikanit. Grupi kundërshton përdorimin e gjuhëve kombëtare në meshë, dialogun me besimet e tjera fetare dhe mbron rikthimin e plotë të ritit tradicional në latinisht.
Drejtuesi i grupit, prifti Davide Pagliarani, deklaroi se shugurimet nuk janë akt rebelimi, por një përpjekje për të “shërbyer Kishën”, duke theksuar se dallimet mes grupit dhe Vatikanit janë bërë gjithnjë e më të thella.
Shoqëria argumenton se shugurimet ishin të nevojshme pasi ipeshkvijtë aktualë janë në moshë të avancuar dhe nuk mund të përballojnë zgjerimin e aktivitetit të saj në mbarë botën. Aktualisht, organizata ka mbi 750 priftërinj, qindra murgesha e seminaristë dhe vepron në 77 vende.
Në vitin 1988, Papa Gjon Pali II shkishëroi katër ipeshkvët e shuguruar nga themeluesi i grupit, ndërsa në vitin 2009, Papa Benedikti XVI hoqi shkishërimin ndaj ipeshkvëve që ishin ende gjallë, në përpjekje për pajtim.




