
Një deklaratë e Donald Trump ka shkaktuar një stuhi politike mes Uashingtonit dhe Romës, duke sjellë përplasjen më të fortë deri tani mes presidentit amerikan dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Gjithçka nisi pasi Trump deklaroi për një televizion italian se Meloni i ishte lutur për të bërë një fotografi me të gjatë samitit të G7 në Francë. Sipas tij, kryeministrja italiane “e donte aq shumë fotografinë”, sa ai pranoi vetëm nga keqardhja.
Reagimi i Melonit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Kryeministrja italiane i quajti deklaratat e Trump “plotësisht të trilluara” dhe tha se ishte e habitur nga sjellja e presidentit amerikan ndaj aleatëve të tij.
“As unë dhe as Italia nuk lypim”, deklaroi Meloni, duke shtuar se është zhgënjyese që Trump tregohet më i ashpër me partnerët perëndimorë sesa me kundërshtarët e SHBA-së.
Kriza u thellua më tej kur ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani anuloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Ai i cilësoi komentet e Trump si “fyese për gjithë Italinë”.
Përplasja shënon një kthesë të fortë në marrëdhëniet mes dy liderëve, të cilët deri pak kohë më parë konsideroheshin aleatë politikë. Meloni ishte e vetmja lidere europiane që mori pjesë në inaugurimin e Trump në vitin 2025, por raportet mes tyre janë ftohur ndjeshëm gjatë muajve të fundit për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën e jashtme dhe konfliktin me Iranin.






