Pavarësisht kritikave të forta të presidentit amerikan Donald Trump, Izraeli ka ndërmarrë sulme të reja ajrore në jug të Libanit, duke rritur pasigurinë rreth marrëveshjes së sapo arritur mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit në rajon.

Sipas mediave libaneze, avionët izraelitë goditën zonën Nabatieh al-Fawqa dhe periferinë e Kfar Tebnit. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende zyrtarisht, por më herët ka deklaruar se objektiv i operacioneve mbetet grupi i armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani.

Nga samiti i G7 në Francë, presidenti Donald Trump i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj Libanit, duke theksuar se konflikti po zgjat prej kohësh dhe po shkakton viktima të shumta.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Netanyahun, por nuk më pëlqeu sulmi që ndërmori. Ishte i tepërt”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Tensionet vazhdojnë edhe pse SHBA-ja dhe Irani njoftuan gjatë fundjavës arritjen e një marrëveshjeje që synon t’i japë fund përplasjeve ushtarake në Lindjen e Mesme. Megjithatë, teksti i plotë i memorandumit ende nuk është bërë publik.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se trupat izraelite do të qëndrojnë në Liban “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj Libanit ose vazhdimi i pranisë ushtarake izraelite do të konsiderohet shkelje e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA.

Marrëveshja SHBA-Iran pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër. Trump ka deklaruar se dokumenti do të lexohet publikisht dhe se ai garanton që Irani nuk do të zotërojë armë bërthamore, ndërsa parashikon edhe rihapjen e lirë të Ngushticës së Hormuzit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu