
Një mision i pavarur faktmbledhës i OKB-së për Iranin thotë se ka “baza të arsyeshme” për të besuar se Shtetet e Bashkuara ishin përgjegjëse për dy sulme ushtarake ndaj një shkolle dhe një qendre sportive në Iran në muajin shkurt dhe se këto sulme përbëjnë krime lufte.
Sipas raportit, sulmi ndaj shkollës fillore Shajareh Tayyebeh në Minab vrau më shumë se 150 persona, mes tyre rreth 120 nxënës, bazuar në shifrat e autoriteteve iraniane. Ekspertët e OKB-së thonë se shkolla ishte objekt civil i identifikueshëm dhe se nuk gjetën prova që ajo përdorej për qëllime ushtarake.
Hetuesit thonë se forcat amerikane dyshohet se vepruan mbi informacione se në ndërtesë ndodhej një komandant i lartë iranian, por nuk i verifikuan në mënyrë të mjaftueshme të dhënat përpara goditjes. Sipas misionit, sulmi ishte pa dallim dhe për këtë arsye përbën krim lufte.
Në të njëjtin përfundim ekspertët arritën edhe për goditjen e një qendre sportive në Lamerd, ku raportohen 22 civilë të vrarë ose të plagosur dhe dëmtime në banesa dhe një shkollë pranë saj. Komanda Qendrore amerikane kishte deklaruar më herët se forcat e SHBA-së nuk kishin kryer sulme në Lamerd atë ditë.
Raporti ngre akuza të rënda edhe ndaj Teheranit. Misioni i OKB-së konstatoi se autoritetet iraniane kryen një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj civilëve gjatë shtypjes së protestave antiqeveritare, përfshirë vrasje të paligjshme, tortura, arrestime arbitrare dhe zhdukje me forcë. Sipas hetuesve, këto veprime përbëjnë krime kundër njerëzimit.
Misionet e SHBA-së dhe Iranit në Gjenevë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters për koment. Uashingtoni ka deklaruar më parë se operacionet ushtarake zhvillohen në përputhje me ligjin e konfliktit të armatosur, ndërsa Teherani ka mohuar akuzat për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut.
Burimi: Reuters






