
SHKODËR – Një përplasje publike mes deputetes së pavarur Marjana Koçeku dhe familjes Bajri ka sjellë reagime nga Policia e Shkodrës dhe përfaqësuesit ligjorë të familjes së njohur shkodrane.
Pak orë pasi Koçeku publikoi në rrjetet sociale një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Bajrave, ku paralajmëronte se do të reagonte ashpër nëse familjes së saj do t’i prekej “edhe një qime floku”, Policia e Shkodrës bëri të ditur se deri më tani nuk është depozituar asnjë kallëzim apo denoncim nga deputetja apo familjarët e saj lidhur me pretendime për kërcënime.
Sipas burimeve zyrtare, të pyetura nga Euronews Albania, nuk rezulton të ketë një procedurë të regjistruar për këtë çështje. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Koçeku i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme ose institucioneve të tjera ligjzbatuese.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe avokati i familjes Bajri, Sokol Tahiraj, i cili i cilësoi deklaratat e deputetes si të pabazuara dhe denigruese. Në një deklaratë publike, ai theksoi se askush nuk mund të etiketohet apo shpallet fajtor përmes deklaratave politike ose postimeve në rrjetet sociale.
“Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të shqyrtohet nga organet kompetente të drejtësisë”, deklaroi Tahiraj.
Avokati paralajmëroi se po shqyrtohen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e interesave të klientëve të tij, përfshirë kallëzime dhe procedura gjyqësore në rast se deklaratat rezultojnë shpifëse ose cenojnë të drejtat e tyre.
Për momentin, deputetja Koçeku nuk ka dhënë detaje shtesë mbi arsyet që e shtynë të publikonte mesazhin, ndërsa çështja ka marrë vëmendje të gjerë publike pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe shpalljes si deputete e pavarur.






