
Brezovica është mbuluar nga reshjet e borës edhe pse ndodhemi në mesin e pranverës, duke krijuar një panoramë të pazakontë dimërore në muajin maj.
Pamjet e publikuara nga zona turistike tregojnë reshje të lehta deri mesatare bore, ndërsa peizazhi i bardhë ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe dashamirësve të natyrës.
Fenomeni konsiderohet i rrallë për këtë periudhë të vitit, megjithëse zonat malore me lartësi të mëdha si Brezovica shpesh përballen me ndryshime të menjëhershme të motit dhe temperatura të ulëta edhe në fund të pranverës.
Pavarësisht kushteve atmosferike, Brezovica vijon të mbetet një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në Kosovë, duke tërhequr vizitorë gjatë gjithë vitit me natyrën dhe panoramat alpine.
Fotot dhe videot e borës në maj janë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar pamjen si “dimër në pranverë”.






