Një studim i ri shkencor ka ngritur shpresat për trajtime të ardhshme kundër dobësimit të trupit gjatë pleqërisë, pasi studiuesit arritën të rikthenin forcën fizike dhe dendësinë kockore tek minjtë e moshuar duke rritur nivelet e një proteine të vetme.

Kërkimi u drejtua nga biologu Keith Kirkwood në Universitetin e Buffalo-s në SHBA dhe u fokusua tek proteina TTP, e cila ka rolin të “shuajë” inflamacionin kronik në organizëm duke shkatërruar molekulat inflamatore përpara se ato të grumbullohen në inde.

Shkencëtarët zbuluan se me kalimin e viteve niveli i kësaj proteine bie natyrshëm, duke favorizuar inflamacionin kronik të lidhur me plakjen, fenomen i njohur si “inflammaging”.

Përmes stabilizimit artificial të TTP-së tek minj 22-muajsh, ekuivalent biologjik me njerëz mbi 80 vjeç, studiuesit vunë re përmirësime të ndjeshme në forcën muskulore, rezistencën fizike dhe dendësinë e kockave.

Minjtë e trajtuar performuan më mirë në testet e shpejtësisë, rezistencës dhe forcës së kapjes, ndërsa sistemi i tyre imunitar nisi të ngjante me atë të subjekteve më të rinj.

Efektet ishin më të dukshme tek meshkujt, ndërsa tek femrat u vu re kryesisht mbrojtje ndaj humbjes së masës kockore.

Studiuesit theksojnë se zbulimi nuk përbën “kurë për plakjen”, por mund të hapë rrugën për terapi të reja që do të ndihmojnë të moshuarit të ruajnë lëvizshmërinë, forcën dhe pavarësinë fizike.

Tashmë ekipi po studion nëse proteina TTP mund të përdoret edhe kundër neuroinflamacionit të lidhur me sëmundje si Alzheimeri dhe demenca.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu