
Eli Fara ka reaguar pas qarkullimit në rrjetet sociale të materialeve intime që i atribuohen, duke folur për cenimin e privatësisë dhe pasojat që gjykimet e fyerjet kanë sjellë për të dhe familjen e saj.
“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje”, shkruan këngëtarja. Ajo thekson se turpi u përket atyre që kanë filmuar dhe shpërndarë pamjet.
Në reagimin e saj, artistja ndalet te gjykimi me të cilin përballen gratë kur u shkelet privatësia. Sipas saj, ato lëndohen nga publikimi i materialeve dhe më pas detyrohen të përballojnë edhe poshtërimin publik.
“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shprehet ajo.
Fara thotë se çështjen do t’ia lërë drejtësisë dhe i bën thirrje publikut të ndalojë shpërndarjen e materialeve.
“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, apelon këngëtarja, e cila falënderon familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë.






