
Sinjale pozitive po vijnë nga Brukseli për miratimin e IBAR-it për Shqipërinë, një hap kyç që do t’i hapte rrugë nisjes së mbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian dhe mbajtjes së konferencës ndërqeveritare brenda muajit maj.
Grupi i punës i vendeve anëtare të BE-së, pjesë e COELA-s, u mblodh sërish në Bruksel për të diskutuar draftin final të qëndrimit të përbashkët të Bashkimit Europian për Klasterin 1 – “Bazat”.
Burime nga Këshilli Europian bëjnë me dije se në dy mbledhjet e fundit është shënuar progres i rëndësishëm dhe se ekziston “optimizëm i kujdesshëm” për arritjen e një marrëveshjeje mes shteteve anëtare në nivel teknik.
Nëse drafti miratohet në nivelin e COELA-s, dosja do t’u kalojë ambasadorëve të vendeve të BE-së në COREPER më 22 maj. Në rast miratimi, kjo do të hapte rrugën për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE më 26 maj.
Megjithatë, pavarësisht sinjaleve pozitive, ende nuk ka një vendim përfundimtar. Burime diplomatike në Bruksel konfirmojnë se diskutimet vijojnë dhe se konsensusi final nuk është arritur zyrtarisht.
Sipas raportimeve, Gjermania dhe Holanda kanë paraqitur rreth 70 pyetje drejtuar Komisionit Europian lidhur me shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Përgjigjet janë përfshirë tashmë në dokumentin e fundit të hartuar nga grupi i punës.
IBAR konsiderohet një moment vendimtar për procesin e integrimit, pasi një vlerësim pozitiv do t’i lejonte Shqipërisë të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve negociues.
Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian në korrik 2022, ndërsa Klasteri 1 “Bazat”, që përfshin sundimin e ligjit, gjyqësorin, të drejtat themelore dhe reformën në administratë, mbetet elementi më i rëndësishëm i procesit.






