
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas deklaroi se zgjedhjet e shpeshta në Kosovë janë arsyeja kryesore e bllokimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas Kallas, për shkak të cikleve të vazhdueshme zgjedhore dhe krizave politike në Kosovë, prej një kohe të gjatë nuk është zhvilluar asnjë takim i ri në nivel liderësh në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Ajo u shpreh para gazetarëve se ekziston gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve si nga presidenti serb Aleksandar Vučić, ashtu edhe nga pala kosovare, por situata politike në Prishtinë ka sjellë vonesa në proces.
Deklaratat e Kallas vijnë në një moment tensionesh politike në Kosovë dhe debatesh për zgjedhje të reja, ndërsa BE po kërkon rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Europian ka paralajmëruar vazhdimisht se avancimi në procesin e integrimit europian për të dy vendet lidhet drejtpërdrejt me progresin në dialog.






