Pas një periudhe të gjatë ku reality show-t në ekranet shqiptare janë kthyer në një teatër të stisur, me skenarë të dukshëm dhe përplasje artificiale për klikime, “Ferma VIP 3” solli mbrëmë një ndjesi të rrallë: natyrshmëri.

Rikthimi i Arbana Osmanit në ekran, pas shkëputjes nga Top Channel, duket se ka sjellë më shumë se thjesht një prezantuese karizmatike. Ka sjellë një frymë tjetër drejtimi, ku spektakli nuk mbështetet te zhurma, por te përmbajtja.

Në një kohë kur shumica e formateve të këtij zhanri kanë rrëshqitur drejt banalitetit dhe vulgaritetit, “Ferma VIP 3” ofroi një kontrast të fortë. Përzgjedhja e konkurrentëve ishte çelësi: personazhe që nuk përpiqeshin të luanin role, por silleshin natyrshëm, duke krijuar situata organike dhe jo të imponuara.

Kulmi i kësaj atmosfere erdhi me praninë e Mimoza Ahmetit, e cila me qetësinë, ironinë dhe batutat e saj spontane, solli një dimension tjetër në ekran. Madje edhe në momente krejt të zakonshme, si qëndrimi shtrirë në krevat, ajo arriti të krijojë një lloj magnetizmi që mungon prej kohësh në reality show-t shqiptare.

Por ndoshta mesazhi më i rëndësishëm që dha kjo mbrëmje është një tjetër: televizioni nuk bëhet nga studiot luksoze, kamerat e shtrenjta apo investimet kolosale. Televizioni bëhet nga njerëzit. Nga energjia që ata sjellin në ekran, nga autenticiteti dhe mënyra si lidhen me publikun.

Po aq e rëndësishme është të ndalet edhe një debat i kotë që shfaqet sa herë ndryshojnë ekranet: krahasimi mes Arbana Osmanit dhe Ledion Liços, apo pretendimet se një format “kopjon” tjetrin. Arbana dhe Ledioni janë e njëjta gjeneratë televizive, të dy profesionistë dhe të zotë në mënyrën e tyre. Nuk ka vend për krahasime personale vetëm sepse njëri zëvendësoi tjetrin në një moment të caktuar.

Nëse ka një përgjegjësi për mënyrën si lëvizin figurat në ekran, ajo nuk është e moderatorëve, por e pronarëve dhe drejtuesve të televizioneve që shpesh mendojnë se televizioni është një produkt që mund ta ndërtojnë sipas dëshirës, vetëm me vendime dhe investime. Në fakt, televizioni ndërtohet nga njerëzit dhe profesionistët që i japin shpirt ekranit.

“Ferma VIP 3” tregoi se publiku nuk ka nevojë për skenarë të sajuar për t’u argëtuar. Mjafton autenticiteti. Mjafton njerëzillëku.

Nëse kjo linjë do të ruhet gjatë gjithë sezonit, ky format mund të shënojë një kthesë të rëndësishme për televizionin shqiptar – një rikthim nga spektakli i zhurmshëm drejt argëtimit inteligjent.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu