
Rusia ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj Ukrainës, duke shkaktuar të paktën 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Goditja më e rëndë u regjistrua në Kiev, ku u dëmtua rëndë Katedralja e Fjetjes së Hyjlindëses (Dormition Cathedral), një monument i shekullit XI dhe pjesë e kompleksit historik Kyiv-Pechersk Lavra, i mbrojtur nga UNESCO.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si “një nga krimet më të mëdha kundër kulturës së krishterë”, ndërsa pamjet nga vendngjarja tregojnë flakë dhe dëmtime të mëdha në çatinë e objektit historik.

Sipas autoriteteve ukrainase, gjatë natës Rusia lëshoi 70 raketa dhe 611 dronë, duke goditur ndërtesa banimi, infrastrukturë energjetike dhe objekte të tjera civile. Mbi 140 mijë banorë të Kievit mbetën pa energji elektrike, ndërsa numri i të plagosurve në të gjithë vendin arriti në mbi 50 persona.
Moska mohoi se kishte goditur katedralen, duke pretenduar se dëmet mund të jenë shkaktuar nga një raketë ukrainase e mbrojtjes ajrore. Ndërkohë, liderë perëndimorë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dënuan sulmin dhe e cilësuan atë si një goditje ndaj trashëgimisë kulturore botërore.
Sulmet vijnë në prag të samitit të G7 në Francë, ku lufta në Ukrainë pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.






