Forcimi i lekut nuk duhet parë si një problem, por si një mundësi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ky është përfundimi i një analize të publikuar nga ekonomistët Gerta Picari dhe Artur Kasimati në Reporter.al.

Sipas tyre, mbiçmimi i monedhës kombëtare nuk është një fenomen sezonal, por rezultat i një procesi të gjatë që lidhet me rritjen e hyrjeve valutore, integrimin ekonomik dhe hapjen e vendit ndaj tregjeve ndërkombëtare.

Autorët argumentojnë se një lek më i fortë ul koston e mallrave të importuara dhe afron çmimet e Shqipërisë me ato të vendeve të eurozonës. Megjithatë, ata pranojnë se kjo situatë krijon vështirësi për sektorë si fasoneria, bujqësia, turizmi dhe eksportuesit.

Në analizë theksohet se përfitimet nga forcimi i lekut duhet të shoqërohen me politika mbështetëse për prodhimin vendas, industrinë ushqimore dhe bujqësinë, në mënyrë që ekonomia shqiptare të ruajë konkurrueshmërinë.

Ekonomistët sugjerojnë gjithashtu që Banka e Shqipërisë të mos ndërhyjë në mënyrë të tepruar për të frenuar forcimin e lekut përmes rritjes së rezervës valutore, ndërsa propozojnë edhe rritjen e përdorimit të monedhës shqiptare në Kosovë si një hap drejt integrimit ekonomik mes dy vendeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu