
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar zyrtarisht ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, e cila do të financojë investime strategjike në sektorin e mbrojtjes.
Sipas njoftimit të DASH, huaja jepet në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF) dhe synon të mbështesë Shqipërinë në përmbushjen e angazhimit të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, përmes blerjes së kapaciteteve kryesore ushtarake me origjinë amerikane, duke forcuar njëkohësisht aftësitë mbrojtëse të aleancës.
Në deklaratë vlerësohet edhe roli i Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe partner i ngushtë i Shteteve të Bashkuara në çështjet e politikës së jashtme, duke përmendur edhe pjesëmarrjen e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Donald Trump.
Marrëveshja u miratua nga Kuvendi më 27 korrik vetëm me votat e mazhorancës socialiste, ndërsa opozita bojkotoi votimin dhe e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur për miratimin e saj.






