
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Berisha e cilëson qëndrimin e Vuçiçit një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa e akuzon presidentin serb se kërkon të përdorë ujin si instrument presioni.
“Do t’ju shterojë ujin! Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandar Vuçiç, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shkruan Berisha.
Sipas kryedemokratit, deklarata është një “kërcënim i hapur çnjerëzor”, që tregon se Vuçiç është i aftë të planifikojë “përdorimin edhe të etjes si armë gjenocidale” ndaj shqiptarëve.
Berisha e lidh qëndrimin e presidentit serb me atë që e konsideron politikë të vazhdueshme të Beogradit kundër shqiptarëve.
Partia Demokratike, sipas tij, dënon me forcë deklaratat për Ibrin, duke i konsideruar ato një akt destabilizues për paqen dhe sigurinë në rajon.
Reagimi i Berishës vjen mes përplasjes së fortë politike dhe diplomatike të shkaktuar nga deklaratat e Vuçiçit për lumin Ibër, ndaj të cilave kanë reaguar Tirana, Prishtina dhe Bashkimi Europian.






