Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas debatit të ditëve të fundit për lumin Ibër dhe deklaratës së tij se “Serbia e humbi Kosovën”, duke iu përgjigjur kritikave që mori veçanërisht nga Prishtina.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ironizon kritikët e tij, të cilët i quan “ushtria e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës”. Sipas kryeministrit, reagimet kundër tij janë një tregues se qëndrimi i mbajtur ndaj Serbisë ka qenë i saktë.

“Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal”, shkruan Rama.

Kryeministri ndalet te reagimet që pasuan deklaratën e tij se Serbia e humbi Kosovën. Ai thotë se kjo fjali u shkëput nga ndërhyrja e tij në debatin mes Tiranës dhe Beogradit për lumin Ibër, ku Shqipëria kundërshtoi çdo ide për ndërhyrje në rrjedhën e lumit.

“Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt”, këmbëngul Rama, duke shtuar se ky realitet, sipas tij, shqetëson si nacionalistët në Beograd, ashtu edhe ata në Prishtinë.

Rama thotë gjithashtu se qëndrimi i tij për çështjen e Ibrit u përshëndet nga deputetja britanike Alicia Kearns, të cilën e cilëson si një prej mbështetëseve të forta të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri e mbyll reagimin duke e konsideruar kundërshtinë ndaj tij nga qarqet nacionaliste në Prishtinë dhe Beograd si një “kompliment për diplomacinë e Shqipërisë”.

Reagimi vjen pas debatit të fortë të ditëve të fundit mes Tiranës dhe Beogradit lidhur me lumin Ibër dhe deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu