
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë ndodhet në një proces intensiv shqyrtimi projektligjesh që lidhen me integrimin europian, duke e cilësuar këtë legjislaturë si një moment historik për vendin.
“Jemi në një proces tejet intensiv shqyrtimi në Kuvend të mjaft projektligjesh që lidhen me parakushtet që Shqipëria duhet të plotësojë sa i përket realizimit të aspiratës sonë historike për anëtarësim në BE”, tha Balla. Ai shtoi se, sipas raporterit për Shqipërinë, Andreas Schieder, me këtë ritëm reformash vendi “i ka të gjitha shanset të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2029”, duke theksuar se kjo është një përgjegjësi që duhet të kuptohet nga çdo deputet, pavarësisht përkatësisë politike.
Balla iu përgjigj edhe kritikave të opozitës për seancat e gjata parlamentare, duke paralajmëruar rritje të intensitetit të punës. “Seanca të tilla të gjata do jenë më të shpeshta, ndoshta me nevojën për të shtuar edhe numrin e seancave plenare gjatë një jave”, u shpreh ai, duke theksuar se viti 2026 pritet të jetë një nga më intensivët për shkak të numrit të madh të çështjeve që lidhen me kriteret e integrimit.
Duke u ndalur te reforma administrative territoriale, Balla i bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në komisionin e posaçëm. “Kemi rënë dakord, kemi ngritur një komision dhe kemi vendosur parimin e barazisë dhe të bashkëdrejtimit”, tha ai, ndërsa shtoi se deputetët e Partisë Demokratike nuk duhet të pengohen nga lidershipi i tyre për të marrë pjesë në mbledhje.
Ai paralajmëroi edhe masa në rast bllokimi të procesit: “Si hap i parë ky mekanizëm zhbllokues do të aplikohet tek Komisioni i Posaçëm i Reformës Administrative Territoriale, por unë besoj do të ketë reflektim”.
Sa i përket reformave të tjera, Balla theksoi detyrimin e vendit për të avancuar edhe me reformën zgjedhore. “Shqipëria është e detyruar të ndërmarrë edhe një reformë të thellë zgjedhore dhe të adresojë rekomandimet shumëvjeçare të ODIHR-it”, deklaroi ai, duke nënvizuar se “gjithëpërfshirja dhe dialogu e kanë parakusht pjesëmarrjen. Me kë të dialogoj, cilin të përfshij nëse ai nuk vjen?”
I pyetur për ndërhyrjet në ligjet e reformës në drejtësi, Balla u shpreh se ato po bëhen në koordinim të plotë me partnerët europianë. “Sapo vijmë nga një seancë ku është ndërhyrë në ligjet e paketës së reformës në drejtësi me kërkesë të Komisionit dhe të Bashkimit Europian”, tha ai, duke shtuar se çdo hap po ndërmerret në komunikim me institucionet europiane.
Në përfundim, Balla theksoi se Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë ku reformat nuk mund të shtyhen. “Kemi hyrë në një korsi ku çdo gjë që bëjmë e bëjmë duke marrë dakordësinë e Komisionit Europian”, përfundoi ai.






