
Kryeministri Edi Rama ka uruar Albin Kurtin për mandatin e ri në krye të Qeverisë së Kosovës, duke i përcjellë njëkohësisht edhe ftesën për një vizitë në Shqipëri.
Në letrën e urimit, Rama shpreh gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën në të gjitha nivelet dhe fushat.
“Mandati juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses”, shkruan Rama.
Kryeministri shqiptar vendos theksin veçanërisht te perspektiva europiane e dy vendeve, duke kërkuar përshpejtimin e hapave drejt asaj që e cilëson “shtëpia e përbashkët europiane”.
Sipas Ramës, zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe angazhimi në projekte të reja në sektorët prioritarë, do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja vendet.
Në përfundim të mesazhit, Rama i uron Kosovës përparim të gjithanshëm dhe fton Albin Kurtin për një vizitë në Shqipëri.






