
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për “Off the Record” në A2 CNN, Walker e cilësoi vendimin një moment të keq për Kosovën, Ballkanin dhe Europën, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është zhvilluar procesi gjyqësor.
Walker rezervoi kritikat më të forta për Bashkimin Europian, të cilin e akuzoi se ka tentuar të vendosë një shenjë barazimi mes veprimeve të UÇK-së dhe krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
Ish-diplomati amerikan ngriti gjithashtu pyetjen se përse presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk është thirrur në Hagë për të dëshmuar.
“Pse nuk është marrë ai nga Zyra e Prokurorisë Speciale, ose të thirret në Hagë për të dëshmuar?”, u shpreh Walker.
Ai iu referua edhe rolit politik të Vuçiçit gjatë periudhës së Slobodan Millosheviçit, duke e lidhur këtë me kritikat e tij ndaj qasjes së institucioneve europiane.
Walker kundërshtoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar struktura e UÇK-së gjatë procesit. Ai argumentoi se UÇK-ja nuk funksiononte si një ushtri klasike me një zinxhir të vetëm komandimi, por si një organizim me struktura dhe komandantë rajonalë.
“Lufta në Kosovë që unë pashë ishte e pabarabartë”, deklaroi Walker, duke thënë se qëndrimi i tij bazohet edhe në përvojën personale si drejtues i misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës.
Deklaratat e Walker vijnë pas shpalljes së vendimit të 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara, i cili ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri.
Tag:






