
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi në Kuvend tërheqjen nga rendi i ditës të projektligjit që lidhet me statusin dhe trajtimin financiar të magjistratëve.
Bardhi tha se çështja vijon prej shtatë vitesh dhe se për të janë dhënë tre vendime të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, dy vendimet e mëparshme nuk janë zbatuar siç duhet nga mazhoranca, ndërsa edhe këtë herë procesi i konsultimit nuk ka qenë efektiv.
Ai tha se opinionet e shoqatave të gjyqtarëve dhe institucioneve drejtuese të sistemit të drejtësisë kanë mbërritur gjatë diskutimeve parlamentare, ndërsa përfaqësuesit e tyre, sipas Bardhit, janë thirrur me një afat shumë të shkurtër për të dhënë qëndrimet.
“Kuvendi vendoset para përgjegjësisë për ta tërhequr nga rendi i ditës këtë projektligj, pasi rrezikohet që ju të shkelni Kushtetutën”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit demokrat kërkoi më shumë kohë për konsultime me shoqatat e magjistratëve, duke theksuar se trajtimi financiar lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë e tyre.
“Ne nuk mund të tallemi me trajtimin financiar të gjyqtarëve, nëse duam që ata të jenë të pavarur”, tha Bardhi.




