Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, nga data 25 deri më 27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Vizita shënon një moment të rëndësishëm diplomatik për Shqipërinë, me theks të veçantë fjalimin historik që Rama do të mbajë në Knesset, Parlamenti i Izraelit.

Kryeministri Rama shoqërohet në këtë vizitë nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, znj. Linda Rama. Ditën e hënë, më 26 janar, nga ora 11:00 deri në 12:30, Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga një takim mes dy delegacioneve. Në përfundim të takimeve, pritet edhe një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Michal Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit. Më pas, Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana. Ndërsa në orën 16:15 do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, me hyrje ceremoniale në sallë. Në këtë seancë do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, Kryeministri Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama.

Sipas protokollit të posaçëm të Knessetit, fjalimi i Kryeministrit Rama konsiderohet historik, pasi një nderim i tillë u është rezervuar vetëm një numri shumë të kufizuar udhëheqësish të huaj, mes tyre së fundmi edhe Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15 do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit. Ndërkohë, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare izraelite.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Rama do të zhvillojë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu