
Gazmend Bardhi, deputet i opozitës, në një fjalim të ashpër në Kuvendin e Shqipërisë, akuzoi qeverinë dhe shumicën parlamentare për mbrojtje të korrupsionit dhe keqpërdorim të fondeve publike, duke e cilësuar buxhetin e ardhshëm si një mjet për të pasuruar një grup të vogël në kurriz të qytetarëve.
Ai kritikoi ashpër zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila sipas tij është “e pandehur” nga SPAK për abuzim me fonde publike, duke përfshirë 50 milionë euro vetëm në projektin e tunelit të Llogarasë. Bardhi denoncoi mbrojtjen e saj nga shumica parlamentare dhe e përshkroi rolin e kryeministrit Edi Rama si peng dhe bashkëpunëtor të Ballukut në korrupsion, duke argumentuar se fondet publike po menaxhohen nga një grusht individësh të korruptuar për pasuri dhe pushtet personal.Ai analizoi kontrastin mes rritjes së papërfillshme të pensioneve dhe shumave të mëdha që vidhen përmes korrupsionit, duke paraqitur shembuj konkretë nga dosja e SPAK për tunelin e Llogarasë, ku tenderi fillestar me vlerë 140 milionë euro u anulua për t’u rihapur më vonë dhe i’u dha një kompanie turke për 190 milionë euro, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.
Bardhi e quajti këtë buxhet “Buxheti 2B i korrupsionit” dhe paralajmëroi qytetarët të mos mashtrohen nga propaganda qeveritare mbi rritje, sukses dhe prosperitet, duke theksuar se e vërteta e vetme është se buxheti i shqiptarëve po shfrytëzohet për interesat private të një pakice të privilegjuar.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë!
Sot, me buxhetin 2026, qeveria nisi të bëjë atë që di të bëjë më mirë: t’ju ngopë me lugën bosh, me premtime të mëdha dhe me propagandë shumëngjyrëshe. Fjalët kyçe të propagandës janë: rritje, sukses, prosperitet, zhvillim.
Për të qarë dhe për të qeshur.
Këta mendojnë se disa prezantime me ngjyra mund t’i bëjnë shqiptarët të harrojnë realitetin. Ndoshta funksionon për patronazhistët, por jo për njerëzit që paguajnë faturat dhe korrupsionin e qeverisë.
Sot, do të dëgjoni edhe nga ne si opozitë fakte të kundërta me propagandën e qeverisë. Sepse detyra jonë është të bëjmë transparencë dhe të kërkojmë llogari. Por le ta themi troç një gjë:
Të nderuar qytetarë,
Ju s’keni nevojë për shumë shifra për të kuptuar se ky buxhet që po ikën apo buxheti që po vjen nuk do ta përmirësojë jetën tuaj.
Nuk keni nevojë për kritikat tona për të ditur që shërbimet nuk po përmirësohen.
Që çmimet nuk bien.
Që kursimet nuk rriten.
Që nuk jetoni më mirë nga viti në vit.
Megjithatë, më duhet të them që në fillim se ky buxhet nuk ka dy të vërteta, një të qeverisë dhe një të opozitës.
Buxheti 2026 ka vetëm një të vërtetë: në pjesën më të madhe të tij, ai do të menaxhohet nga Belinda Balluku – një e pandehur nga SPAK për abuzime me fondet publike! Dhe nga Edi Rama – pengu i saj bashkëpunëtor në korrupsion, fiktivisht në krye të qeverisë.
Fare mirë, për lehtësi komunikimi, këtij buxheti mund t’i vendosim edhe një emër: nga dosja 5D e korrupsionit në bashki, kemi kaluar tek buxheti 2B i korrupsionit në qeveri.
Qeveria dhe deputetët e saj po duan të na bindin se nuk i zë gjumi për të mirën e popullit, se janë munduar që ta rrisin buxhetin, të rrisin investimet, të rrisin pagat, të rrisin pensionet. E kanë të kotë. Teatrin e tyre të shëmtuar me njerëzit, të cilët i vrasin natën dhe i qajnë ditën, e zbulon vetëm kjo dosje – Dosja e SPAK-ut për Tunelin e Llogarasë. Aty është e akuzuar dhe e pandehur Belinda Balluku, por paligjshmëria ka ndodhur nën drejtimin e Edi Ramës.
Kështu që na i kurseni këto sajesa të buxhetit më të madh që do të bëjë shqiptarët më të lumtur. Buxheti që kemi përpara nuk është për shqiptarët. Është për ruajtjen e pushtetit të korruptuar të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Të nderuar qytetarë,
Kur të dëgjoni që Ramat dhe Ballukët e maxhorancës po ju tregojnë sa mirë jetoni, tregojini këtë dosje të SPAK-ut. Është Tuneli i Llogarasë, ku vetëm me një tender të paracaktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku janë zhdukur të paktën 50 milionë euro.
Ja çfarë i bëjnë buxhetit këta. E qepin sipas interesit të xhepit të tyre, jo sipas interesit të shqiptarëve. Sa për t’ju rifreskuar kujtesën, po citoj dosjen e SPAK-ut, sesi Belinda Balluku trajton 190 milionë euro nga fondet publike:
“Në orën 17:40, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit: ‘Mendoj ta anullojmë. Skualifikoji të gjithë. Kam atë ndjesinë time që nuk duhet.’
Në orën 17:51, Evis Berberi i thotë Ballukut: ‘E ke të frikshme ndjesinë. Kur e do?’
Belinda Balluku: ‘Mbylleni sot me urgjencë.'”
Dhe historinë e dini të gjithë. Tenderi u anulua. Në vend të 140 milionë eurove, u pranua disa muaj më vonë oferta me 190 milionë euro e turqve të Edi Ramës.
Pse? Sepse përmbushën kriteret? SPAK-u thotë JO. E akuzon Belinda Ballukun dhe e ka marrë të pandehur, se për shkak të veprimeve të saj të kundraligjshme, fituesi i tenderit 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë është shpallur në kundërshtim me kriteret.
Pra, sot nuk mund të kemi dy të vërteta – një për qeverinë dhe një për opozitën. Sot kemi vetëm një të vërtetë: buxheti i shqiptarëve menaxhohet nga një grusht hajdutësh, të cilët nuk i bashkon vizioni për të zhvilluar vendin, por babëzia për pasuri dhe pushtet personal.
Edhe këto miliona e miliarda nga taksat e shqiptarëve, që janë parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, do të vidhen po njësoj: me tendera të paracaktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku. Njësoj si tuneli i Llogarasë.
T’ua freskoj edhe një herë kujtesën kolegëve të Partisë Socialiste, se ndoshta edhe mund t’u vijë turp nga fëmijët e tyre para se të lexojnë fjalimin që u ka kërkuar partia.
Ja çfarë thuhet mes të tjerash në mesazhin që kompania turke i dërgon Belinda Ballukut disa javë përpara hapjes së tenderit të dytë për tunelin, dhe që mjeshtrja e tenderave ia dërgon bashkëpunëtorit të saj:
“Kjo është një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë. Si përfaqësuesit tanë në Shqipëri, ashtu edhe avokatët tanë në Shqipëri po vazhdojnë punën dhe negociatat në lidhje me tenderin. Në selinë tonë në Ankara, inxhinierët tanë po përfundojnë dokumentacionin për tenderin dhe po vazhdojnë studimet e kostove. Përveç kësaj, më 18 gusht (pra 3 javë para hapjes së tenderit), menaxherët e shoqërisë dhe inxhinierët tanë nga Turqia do të vijnë në Shqipëri për të parë trasenë dhe vendin ku do të ndërtohet tuneli, si dhe për të finalizuar detajet. Si shoqëri, ne do të jemi plotësisht gati për tenderin e Tunelit të Llogarasë përpara datës së tenderit.”
A është Tuneli i Llogarasë rast i izoluar i abuzimit me fondet publike, që as Edi Rama, as Belinda Balluku nuk i prodhojnë vetë, por janë mundi dhe djersa e punës së 2 milionë shqiptarëve?!
Do ta kisha votuar edhe vetë këtë buxhet po të kishte qenë kështu, por fatkeqësisht për vendin, nuk është!
Pak ditë më parë denoncova të njëjtën skemë korrupsioni. Këtë herë me koncesionin 60 milionë euro të “Portit të Integruar” në Vlorë, të cilit ia kanë dhënë një pensionisti që punon për njërin prej oligarkëve të Ramës. Ju të PS-së e kujtoni të gjithë puthjen e kryeministrit tuaj me Salillarin disa vjet më parë. Tani, ju takon ju, që përpara se të lexoni fjalimet me rritje e progres, t’u thoni votuesve se kush është pronari i vërtetë i koncesionit 60 milionë euro në Triport. Sepse një pensionist, pa asnjë kualifikim, nuk mund të jetë.
Këtë informacion mund t’ia kërkoni shumë mirë edhe të pandehurës suaj të preferuar, Belinda Ballukut.
Madje, të njëjtën të pandehur mund ta pyesni edhe për skemën korruptive të koncesionit me Aeroportin e Vlorës. Mund ta kapni në ndonjë moment sinqeriteti dhe ndoshta mund t’ju tregojë ndonjë lidhje familjare dhe biznesi me aksionerët e pakicës në koncesionin 140 milionë euro të Aeroportit të Vlorës.
Po ju kërkoj të pyesni Belindën dhe jo Edi Ramën, sepse e dini që kryeministrin e keni peng tek Belinda Balluku.
Përndryshe, nuk ka asnjë shpjegim tjetër që Edi Rama mban ende si krahun e tij të djathtë në qeveri një të pandehur nga SPAK-u.
Përndryshe, nuk ka asnjë shpjegim tjetër pse Edi Rama i ka lënë një të pandehure për abuzim me tenderat gati 1 miliard euro fonde tenderash.
Përndryshe, nuk ka asnjë shpjegim pse Edi Rama hesht i dorëzuar përpara të pandehurës së SPAK-ut.
Ata janë së bashku në krimin e vjedhjes së buxhetit të shqiptarëve.
Prandaj, kolegë socialistë,
Nëse doni të kuptoni ç’bëhet me qeverinë tuaj të pistë dhe të korruptuar, kush do t’i marrë fondet e këtij buxheti, a do të kenë ndonjë copë miqtë tuaj të dukshëm e të padukshëm që blejnë vota për ju dhe ju duhet t’i shpërbleni – mos e lodhni kryeministrin. Prej 31 tetorit, ai është vetëm figurant. Pyesni të pandehurën e SPAK-ut, Belinda Balluku. Ajo mban realisht çelësat e qeverisë. Dhe është e vetmja që ka fuqinë të shkarkojë Edi Ramën.
Ky është çmimi që kryeministri i Shqipërisë po paguan personalisht për sistemin korruptiv që ka ndërtuar vetë:
I marrë peng nga zëvendëskryeministrja.
I marrë peng nga partnerët e krimit të organizuar dhe kartelet e drogës, që po shpallen non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri u krijon atyre lehtësira, leje ndërtimi, licenca kazinoje dhe çdo mundësi tjetër për të pastruar paratë. Ata, në këmbim, blejnë vota për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit të tij.
Prandaj, ky buxhet nuk është as më shumë e as më pak, por fatura e pengmarrjes së kryeministrit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Një faturë që shqiptarët po e paguajnë më shtrenjtë se kushdo. Një faturë që ne refuzojmë ta firmosim! Sepse ky buxhet është provë se Shqipëria sot nuk qeveriset. Ajo shfrytëzohet.
Ne jemi kundër një buxheti që mbron të pandehurit, jo qytetarët.
Jemi kundër një qeverie që i shërben krimit, jo njerëzve.
Ne votojmë kundër për të mos u bërë si ju – noterë të pengmarrjes nga krimi dhe korrupsioni.
Ne votojmë KUNDËR sepse jemi me Shqipërinë dhe jo me pengmarrësit e saj.
© SYRI.net







