Seanca parlamentare është shoqëruar me debate të ashpra, ku deputeti i opozitës, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës lidhur me projektbuxhetin e vitit 2024 dhe paketën fiskale. Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi deklaroi se qëllimi i vërtetë i qeverisë është t’u falë 2 miliardë euro detyrime bizneseve pranë kryeministrit, ndërsa rritjen e pensioneve dhe pagave e cilësoi si një “mashtrim publik”.
Fjala e deputetit nisi me një përplasje me drejtuesin e seancës, pasi Bardhi i kërkoi mazhorancës në mënyrë ironike t’i jepte një duartrokitje një zyrtareje të lartë të hetuar nga SPAK. Kjo solli ndërhyrjen e kryetarit, i cili i dha masën disiplinore “tërheqje vëmendje”, duke i kërkuar të përmbahej te tema e diskutimit pa bërë sulme personale.
Në vijim të fjalës së tij, Bardhi argumentoi se opozita ka votuar kundër programit të punimeve, pasi, sipas tij, mazhoranca nuk dëshiron një diskutim real për buxhetin. Ai theksoi se qëllimi i vetëm i paketës fiskale dhe buxhetit, për të cilat deputetëve iu lanë vetëm 24 orë kohë për shqyrtim, është “t’u falin bizneseve në oborrin e Edi Ramës 2 miliardë euro detyrime ndaj shtetit shqiptar”.
Sipas tij, pikërisht për këtë arsye qeveria kërkon të shmangë debatin, në mënyrë që qytetarët të mos e mësojnë të vërtetën. “Ndërsa 50 miliarderëve në vend u falni 2 miliardë euro detyrime, pensionistëve po bëni sikur po u rrisni pensionin, duke u dhënë 100 mijë lekëshin që është dhënë gjithmonë si bonus në fundvit,” deklaroi ai, duke e quajtur propagandën për rritje pagash dhe pensionesh një mashtrim.
Deputeti Bardhi denoncoi gjithashtu shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese. Ai akuzoi mazhorancën për mosmiratimin e një kalendari të veçantë për shqyrtimin e paketës fiskale dhe për paraqitjen e projektbuxhetit në Kuvend pa ligjet shoqëruese financiare, në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas tij, ligjet e paketës fiskale u sollën dy javë me vonesë dhe u miratuan në komisione brenda dy orësh, pa asnjë seancë dëgjimore dhe pa u konsultuar me institucionet apo grupet e interesit.
Gazment Bardhi: Në fakt, do t’i ftoja kolegët e mazhorancës, meqënëse e kanë kthyer në traditë duartrokitjen, që përpara se të fillojnë punimet e kuvendit, t’i japim një duartrokitje të pandehurës nga SPAK-u për abuzim me 50 milionë euro…
Unë e kuptoj që është fjalë turpi për ata që kanë turp statusi i pandehur, por është brenda etikës dhe është një status ligjor. Unë nuk preva njeri.
Është statusi zyrtar i saj. Unë nuk po i them çfarë i thotë ajo Edi Ramës, se ajo mund të jetë fyerje edhe shkelje e etikës. Nuk e përdora atë. Atë e kanë në raport me njëri-tjetrin.
Tani, për të kaluar tek programi dhe kalendari i punimeve. Po zoti kryetar, ne kemi votuar kundër në konferencën e kryetarëve, sepse ju nuk doni të flitet as për buxhetin, sepse dhe referimi që u bë këtu është një mashtrim publik për pensionistët shqiptarë. Sikundër propaganda juaj për rritje pagash është një mashtrim, sepse qëllimi i vetëm i këtij buxheti dhe paketës fiskale, të cilët ju i keni lënë deputetëve vetëm 24 orë kohë për të diskutuar, është që ju t’i falni ë bizneseve në oborrin e Edi Ramës 2 miliardë euro detyrime ndaj shtetit shqiptar. Prandaj nuk doni të diskutohet paketa fiskale, nuk doni që shqiptarët të mësojnë se cili është qëllimi i vërtetë i buxhetit dhe paketës fiskale që shoqëron buxhetin, sepse ndërsa 50 njerëzve, miliarderë në vend, i falni 2 miliardë euro detyrime, pensionistëve po bëni se ku po i rrisni pensionin, duke i dhënë muaj për muaj 100 mijë lekëshin që është dhënë gjithmonë si bonus në fundviti.
Prandaj dhe në shkelje totale të rregullores së Kuvendit, pa miratuar një kalendar të veçantë për shqyrtimin e paketës fiskale, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, qeveria solli projektbuxhetin pa ligjet financiare që e shoqërojnë atë, siç e detyron Kushtetuta dhe rregullorja e parlamentit. Dhe dy javë pasi kishte filluar diskutimi i buxhetit, vetëm të premten e javës së shkuar, qeveria solli tetë projektligje si pjesë e projektligjeve që shoqërojnë buxhetin e shtetit. Dhe ju menjëherë, pa kaluar as 24 orë, të hënën i shqyrtuat dhe i miratuat ë tetë ligjet e paketës fiskale, në dy orë diskutime, pa dëgjuar asnjë institucion, pa dëgjuar asnjë prej grupeve të interesit, pa zhvilluar asnjë seancë dëgjimore, i shqyrtuat dhe i miratuat të hënën dhe menjëherë i futët në seancë. Nuk është bërë akoma një javë nga momenti ku paketa fiskale…
Bardhi gjatë fjalës së tij theksoi se nga paketa fiskale që ka ofruar mazhoranca përfitojnë 2  miliardë euro bizneset afër kreut të Rlindjes Edi Rama. Ai kërkoi  që të vihet në dispozicin lista e oligarkwve që do të përfitojnë nga paqja fiskale./Syri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu