Kryeministri i Nepalit, K P Sharma Oli, ka dhënë dorëheqjen pas protestave të përshkallëzuara në mbarë vendin, të nxitura nga akuza për korrupsion dhe nepotizëm, të njohura si lëvizja “fëmijët e nepotizmit”.

Në një deklaratë zyrtare, Oli tha se dorëheqja e tij synon të “hapë rrugën për një zgjidhje kushtetuese të krizës aktuale”.

Protestat, të cilat nisën të hënën pas një ndalimi të përkohshëm të rrjeteve sociale, që më pas u anulua, u shndërruan shpejt në një lëvizje të gjerë kundër korrupsionit në qeveri. Përplasjet me policinë kanë qenë të ashpra, duke lënë të paktën 19 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Sulme ndaj politikanëve dhe ndërtesave qeveritare

Demonstruesit kanë vënë zjarr shtëpive të disa politikanëve, përfshirë ish-kryeministrin Sher Bahadur Deuba dhe vetë Oli. Po ashtu janë sulmuar edhe selitë e partive politike.

Sipas Mohan Regmi, drejtori ekzekutiv i Civil Service Hospital, dy persona humbën jetën gjatë protestave të së martës, ndërsa 90 të tjerë po marrin trajtim mjekësor.

Tre ministra kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj dhunës dhe krizës politike në vend.

Kaos në transportin ajror

Aeroporti ndërkombëtar Tribhuvan në Kathmandu është pjesërisht i mbyllur për shkak të tymit të dendur nga zjarret dhe pasigurisë së shkaktuar nga protestat.
Fluturimet e brendshme janë pothuajse të gjitha të pezulluara, ndërsa pesë fluturime ndërkombëtare janë bllokuar.

Roli i rrjeteve sociale dhe zemërimi i të rinjve

Nepali ka një nga normat më të larta të përdorimit të rrjeteve sociale në Azinë Jugore – 48.1% e popullsisë janë përdorues aktivë.
Ndaj, ndalimi i përkohshëm i platformave si Facebook dhe Instagram u pa nga protestuesit si një tentativë për të heshtur lëvizjen kundër korrupsionit, duke shtuar zemërimin popullor.

Të rinjtë, të cilët përbëjnë shumicën e protestuesve, po reagojnë ndaj papunësisë së lartë, e cila për grupmoshën 15-24 vjeç ishte 20.8% në vitin 2024, sipas Bankës Botërore.
Shumë prej tyre janë të detyruar të emigrojnë për të gjetur punë, ndërkohë që 33.1% e PBB-së së Nepalit vjen nga remitancat e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Thirrje për ndryshime politike

Protestuesit kërkojnë fundin e korrupsionit dhe nepotizmit në qeveri, duke thirrur slogane kundër “qeverisë së fëmijëve të politikanëve”.
Një demonstrues, Satish Mandal, tha për BBC:

“Nepali po korruptohet ditë pas dite. Në çdo sektor, sidomos në shëndetësi dhe arsim, korrupsioni po rritet. Studentët po vriten nga policia, ndaj kërkojmë që qeveria të japë dorëheqje.”

Aktualisht, situata në Kathmandu dhe qytete të tjera të Nepalit mbetet e tensionuar, me një gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur de facto dhe prani të shtuar të forcave të sigurisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu