
Mëngjesin e kësaj të marte është duke u kryer ceremonia e pritjes për viktimën Marjola Nakoleci e cila u vra nga bashkëshorti i saj rreth 4 ditë më parë në Volos të Greqisë.
Trupi i pajetë i saj u soll gjatë pasdites të së hënës dhe do të prehet në varrezat e qytetit të Korçës.
Miq, familjarë dhe të afërm të viktimës janë duke i dhënë laltumirën e fundit 36 vjeçares dhe ndodhen në gjëndje të rënduar psikologjike teksa kanë ndaluar kategorikisht praninë e mediave.
Ceremonia mortore pritet të kryhet rreth orës 11:00.
NGJARJA
Pandeli Nakoleci, 40-vjeçari shqiptar që vrau në mënyrë barbare bashkëshorten e tij në Volos të Greqisë, pritet të dalë përpara gjykatës.
Ai qëlloi për vdekje bashkëshorten Marjola Nakoleci pas një sherri. Gazetat greke shkruajnë se e ndjera la pas 4 fëmijë.
Sipas gazetës ‘Kathimerini’: “Në të njëjtën kohë me procesin gjyqësor, mbetet serioze çështja e kujdestarisë së katër fëmijëve të familjes. Tre prej tyre janë të mitur, me moshë 6, 13 dhe 16 vjeç, ndërsa ka edhe një vajzë 18 vjeçe që sapo u bë e rritur”.
“Me urdhër të Prokurorisë së Volosit, që nga dje ka nisur një hetim urgjent social nga shërbimi social i bashkisë. Punonjësit socialë dhe psikologët kanë nisur kontakte me të afërm nga të dyja anët për të vlerësuar se cili do të ishte ambienti më i mirë për fëmijët.
Sipas informacioneve, dy motrat e 36-vjeçares, njëra në Skiathos dhe tjetra në Itali, kanë shprehur interes, ashtu si edhe gjyshi nga ana e babait, i cili jeton në Shqipëri.
Fëmijët duan të qëndrojnë në Greqi, dhe skenari më i mundshëm që po shqyrtohet është dhënia e kujdestarisë te tezja nga Skiathos, me mbështetje financiare nga tezja që ndodhet në Itali.
Të gjitha procedurat do të përfundojnë pas kthimit të fëmijëve nga Shqipëria, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga prokuroria,” shkruan gazeta./oranews