Një krim i rëndë në familje ka tronditur zonën e Rodopit në Greqi. Një 53-vjeçar shqiptar dyshohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij 44-vjeçare dhe më pas tentoi t’i jepte fund jetës duke pirë karburant.

Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit, ndërsa autoritetet u njoftuan nga njëri prej tre fëmijëve të tyre. Dy nga fëmijët janë të rritur, ndërsa i treti është 16 vjeç.

Policia dhe ekipet mjekësore mbërritën në vendngjarje, por gruaja u gjet pa shenja jete. Bashkëshorti i saj u transportua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë kontrollit në banesë, hetuesit sekuestruan dy thika, të cilat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve për të përcaktuar se cila është përdorur në krim.

Çifti rezulton se kishte pasur probleme edhe më parë. Në vitin 2022, gruaja kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënime në Heraklion të Kretës. Ai ishte arrestuar në atë kohë, por më pas ishte lënë i lirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu