
Banorët e Shtiqënit dhe Bicajt protestuan para Bashkisë së Kukësit, duke kërkuar rikthimin e ujit në kanalet vaditëse dhe shpëtimin e prodhimeve bujqësore.
Fermerët pretendojnë se burimet ujore po shfrytëzohen nga hidrocentralet për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa tokat e tyre kanë mbetur pa ujë në kulmin e sezonit.
Sipas tyre, marrëveshja në fuqi parashikon garantimin e ujit për vaditje nga 15 maji deri më 15 shtator, por ky detyrim nuk po zbatohet.
Kanali i Shtiqënit mbulon rreth 820 hektarë tokë bujqësore. Aktualisht, afro 120 hektarë janë të mbjellë me misër, jonxhë dhe grurë. Mungesa e ujit, thonë banorët, rrezikon të shkatërrojë prodhimin dhe të godasë të ardhurat e familjeve që sigurojnë jetesën nga bujqësia.
Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve dhe paralajmëruan përshkallëzimin e protestave nëse uji nuk rikthehet në kanalet vaditëse.





