Është rënduar ndjeshëm bilanci i përmbytjeve të fuqishme në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit. Të paktën 31 persona kanë humbur jetën, 93 janë plagosur, ndërsa rreth 400 turistë rezultojnë të zhdukur.

Sipas Bordit të Turizmit të Nepalit, mes personave me të cilët janë humbur kontaktet ndodhen 291 shtetas të huaj. Lista përfshin mbi 100 indianë, 12 britanikë, 17 malajzianë dhe turistë nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Holanda e Afrika e Jugut.

Pamjet e publikuara tregojnë një mur uji dhe balte që merr përpara ura, ndërtesa shumëkatëshe dhe automjete. Zonat më të goditura janë Rasuwa dhe Nuwakot, ndërsa dëme dhe viktima raportohen edhe në Tibet.

Ushtria nepaleze ka shpëtuar 88 persona dhe ka mobilizuar 15 helikopterë. Një tjetër operacion po zhvillohet për evakuimin e 115 banorëve nga fshati Mailung.

Sipas të dhënave paraprake, një tërmet mund të ketë shkaktuar një ortek, i cili më pas provokoi përmbytjet e menjëhershme. Rrugët, urat, komunikimet dhe hidrocentralet kanë pësuar dëme të mëdha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu