Një histori prekëse po vjen nga Nepali, ku përmbytjet katastrofike kanë lënë pas mbi 1 mijë viktima dhe mijëra persona të zhdukur.

Në Trishuli Bazaar, në distriktin Nuwakot, një qen bardhezi po refuzon të largohet nga vendi ku ndodheshin katër banesa, të cilat u morën nga vërshimi i ujërave.

Qeni, i cili mban ende qaforen, qëndron mes baltës dhe rrënojave, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe makineritë e rënda vazhdojnë pastrimin e zonës. Punëtorët janë detyruar të punojnë rreth tij, pasi kafsha largohet për pak çaste, por kthehet vazhdimisht në të njëjtin vend, pranë asaj që dikur ishte hyrja e njërës prej shtëpive.

Sipas mediave që kanë raportuar nga zona, askush nuk ka mundur të përcaktojë me siguri se kujt i përket qeni apo se çfarë ka ndodhur me pronarët e tij.

Banorët e zhvendosur tregojnë se kafsha nuk reagon ndaj njerëzve që afrohen dhe nuk tund bishtin. Vullnetarët i kanë lënë ushqim dhe ujë, të cilat qeni i pranon kryesisht kur mbetet vetëm.

Pamjet kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke e kthyer qenin e Trishulit në një nga simbolet më prekëse të katastrofës.

Ndërkohë, situata në Nepal mbetet dramatike. Bilanci i katastrofës në zonën Nepal-Tibet ka kaluar 1 mijë viktima, ndërsa mijëra njerëz rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet mes baltës, gurëve dhe rrënojave, ndërsa qindra punëtorë dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në tunelet e hidrocentraleve.

Në mes të kësaj tragjedie, qeni vazhdon të qëndrojë aty ku dikur kishte shtëpinë, sikur të presë kthimin e njerëzve me të cilët jetonte.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu