
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka hequr dorë nga plani për të vendosur një tarifë prej 20% për të gjitha anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke njoftuar se ajo do të zëvendësohet me marrëveshje tregtare dhe investime nga vendet e Gjirit.
Vendimi u bë publik vetëm pak orë përpara rifillimit të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit.
“I kam zëvendësuar tarifat 20% me marrëveshje tregtare dhe investime që vendet e Gjirit do të bëjnë në Shtetet e Bashkuara. Këto investime do të jenë masive dhe të dobishme për të gjithë,” shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Presidenti amerikan shtoi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për të gjithë trafikun detar, “me përjashtim të Iranit”, duke theksuar se nafta po qarkullon falë pranisë ushtarake amerikane në rajon.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) konfirmoi se bllokada detare ndaj porteve iraniane hyn në fuqi këtë të martë në orën 20:00 GMT.
Ndërkohë, situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar. Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në disa qytete, përfshirë Bushehrin, ku ndodhet një central bërthamor, ndërsa SHBA deklaroi se ka zhvilluar natën e tretë radhazi sulme ndaj objektivave iraniane.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se çdo sulm i ri iranian do të marrë një përgjigje “shumë më të fuqishme” nga Izraeli.
Sipas të dhënave të transportit detar, trafiku në Ngushticën e Hormuzit ka rënë në nivelin më të ulët të dy muajve të fundit, ndërsa çmimi i naftës Brent ka vijuar të rritet për shkak të pasigurisë në rajon.






