
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka njoftuar se ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezana Paunović, është shpallur persona non grata, me ndalim të përhershëm të hyrjes dhe tranzitit në territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi vjen pas deklaratave të Paunović, të cilat autoritetet në Prishtinë i cilësuan si vazhdimësi të retorikës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
Në reagimin e tij, ministri tha se gjuha e përdorur nga zyrtarja serbe përfaqëson vazhdimësinë e politikave shtetërore që, sipas tij, kanë prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.
“Sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović shpallet person i padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes apo kalimit tranzit nëpër Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ministri theksoi se epoka e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve ka marrë fund dhe se Kosova është një shtet sovran me institucione që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e qytetarëve.
Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar sovranitetin e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur ligjore dhe institucionale.






