
Administrata e Presidentit Donald Trump po lehtëson ndjeshëm rregullat për cigaret elektronike dhe produktet me nikotinë në SHBA, një vendim që pritet të hapë tregun për qindra produkte të reja të paautorizuara më parë.
Sipas një raporti ekskluziv të Reuters, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) do të përdorë tashmë “diskrecion në zbatim”, duke lejuar kompanitë të shesin vape dhe qese nikotine edhe pa licencë të plotë, për sa kohë aplikimet e tyre plotësojnë disa standarde bazë.
Vendimi shënon një kthesë të fortë nga politika e mëparshme e FDA-së, e cila prej vitesh kërkonte autorizim të plotë përpara daljes në treg të këtyre produkteve, kryesisht për të kufizuar përdorimin tek të rinjtë.
Sipas burimeve të Reuters, nga ndryshimi i ri mund të përfitojnë menjëherë 100 deri në 200 produkte, ndërsa rreth 1 mijë aplikime të tjera ndodhen aktualisht në fazën e shqyrtimit shkencor.
Industria e duhanit kishte ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj administratës Trump për ndryshimin e rregullave, duke argumentuar se politikat e mëparshme kishin favorizuar tregun ilegal të vape-ve, kryesisht të importuara nga Kina.
Grupet e shëndetit publik kanë reaguar ashpër ndaj vendimit, duke paralajmëruar se legalizimi i më shumë produkteve me shije frutash apo aromash mund të rrisë përdorimin e nikotinës tek adoleshentët.
“Ky ndryshim i ri i hap derën shitjes legale të më shumë vape-ve me shije që tërheqin fëmijët”, deklaroi Brian King, ish-drejtues i Qendrës së Produkteve të Duhanit në FDA.
Megjithatë, disa ekspertë argumentojnë se produktet alternative me nikotinë mund të ndihmojnë duhanpirësit e rritur të heqin cigaren tradicionale.
“Duam ta mbajmë nikotinën larg të rinjve, por të rriturit që pijnë duhan kanë nevojë për alternativa”, tha Vaughan Rees nga Universiteti i Harvardit.
Shtëpia e Bardhë mbrojti vendimin, duke deklaruar se Presidenti Trump beson se vape-t dhe qeset me nikotinë mund të ndihmojnë amerikanët që duan të lënë duhanin.
Ndërkohë, administrata Trump ka pezulluar edhe planin për ndalimin e cigareve mentol dhe ka nisur përshpejtimin e procedurave të miratimit në FDA.
Analistët e tregut vlerësojnë se kompanitë e mëdha të duhanit do të përfitojnë ndjeshëm nga politika e re, veçanërisht Philip Morris dhe British American Tobacco.






