
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Lezhës mbrëmjen e së shtunës, ku dy persona, babë e bijë, janë gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tyre.
Sipas Policisë, rreth orës 21:45 është bërë kallëzim për humbjen e kontakteve me shtetasit Anton Keçi, 54 vjeç, dhe vajzën e tij Bora Keçi, 20 vjeçe, të cilët ishin nisur për në punë.
Pas kërkimeve, automjeti i tyre u gjet në një kanal me ujë në fshatin Gocaj, pranë fabrikës së çimentos. Pas nxjerrjes së mjetit, u konstatua se të dy ndodheshin pa shenja jete brenda tij.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit nga drejtuesja, duke bërë që mjeti të dalë nga rruga dhe të përfundojë në kanal.
Burime bëjnë me dije se një prej viktimave punonte në kampin e Gjadrit në sektorin e mjekësisë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.






