
Spanja është rikthyer në fronin e futbollit botëror. Pas fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026, “La Roja” ngriti trofeun më të rëndësishëm të futbollit, duke u shpallur kampione e botës për herë të dytë në histori.
Kapiteni Rodri ngriti trofeun në qiellin e New Jersey-t mes fishekzjarrëve dhe festës së mijëra tifozëve spanjollë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, morën pjesë në ceremoninë e dorëzimit të kupës.
View this post on Instagram
Më herët, futbollistët e Argjentinës morën medaljet e vendit të dytë. Lionel Messi, dukshëm i emocionuar, nuk arriti t’i mbante lotët teksa përshëndeti tifozët argjentinas, në atë që mund të ketë qenë paraqitja e tij e fundit në një Kupë Bote. Në vitin 2030, ylli argjentinas do të jetë 42 vjeç.
View this post on Instagram
Në ceremoninë e çmimeve individuale, Rodri u shpall lojtari më i mirë i Botërorit dhe fitoi “Topin e Artë”, duke kurorëzuar një sezon fantastik pas triumfit në Kupën e Botës, Europian, Champions League dhe titujve në Premier League.
Portieri Unai Simón fitoi “Dorashkën e Artë”, pasi e mbylli turneun me shtatë ndeshje pa pësuar gol dhe vetëm një gol të inkasuar gjatë gjithë Botërorit. Ndërkohë, mbrojtësi 19-vjeçar Pau Cubarsí u shpall lojtari i ri më i mirë i turneut.
Heroi i finales, Ferran Torres, autor i golit të vetëm në minutën e 106-të, tha se fitorja ishte për të gjithë popullin spanjoll.
“Ky gol erdhi nga 47 milionë njerëz, jo vetëm nga ne që ishim në fushë. Sot ishte e shkruar që ne të fitonim. Kur përballë ke Messin gjithmonë shqetësohesh, por ne besuam te vetja dhe te futbolli ynë,” deklaroi sulmuesi spanjoll.
Analistët e BBC-së e cilësuan Spanjën si skuadrën më të mirë të turneut. Ish-portieri Joe Hart tha se “ekipi më i mirë fitoi Kupën e Botës”, ndërsa Chris Sutton vlerësoi dominimin e “La Roja”-s, duke theksuar se triumfi i saj ishte “i mirë edhe për futbollin”.
Me suksesin në Botërorin 2026, pas triumfit në Euro 2024, Spanja konfirmon një brez të artë futbollistësh, me emra si Rodri, Lamine Yamal, Pau Cubarsí, Ferran Torres dhe Dani Olmo që pritet të dominojnë futbollin ndërkombëtar edhe në vitet e ardhshme.






