Seanca plenare e Kuvendit u mbyll pa përfunduar rendin e ditës, pasi deputetët e Partisë Demokratike vijuan bllokimin e Foltores në shenjë kundërshtimi ndaj raportimit të Avokatit të Popullit, Endrit Shabani.

Si pasojë e tensioneve, Shabani nuk arriti të paraqesë raportin e institucionit që drejton. Me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, hodhi në votim shtyrjen e pikave të mbetura të rendit të ditës për seancën e së enjtes.

Peleshi refuzoi kërkesën e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, që seanca të vijonte me raportimin e drejtuesve të tjerë të institucioneve, duke argumentuar se rendi i ditës nuk mund të ndryshohet gjatë zhvillimit të seancës dhe nën presion.

“Rendin e ditës e bën kryetari, por nuk mund ta ndryshojmë pas shtatë orësh nën presionin e zënies së Foltores. Ky precedent nuk i shërben askujt. Nuk e vendosim ne nëse Avokati i Popullit është i ligjshëm apo jo, këtë e vendos Gjykata Kushtetuese. Deri atëherë nuk ka asnjë vendim pezullimi”, deklaroi Peleshi.

Ai akuzoi opozitën se po mban peng Kuvendin duke penguar zhvillimin normal të punimeve, ndërsa propozimi për shtyrjen e pikave të mbetura u miratua me 76 vota pro dhe 25 kundër. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet të enjten.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu