Tre persona mbetën të plagosur mbrëmjen e së hënës pas një sulmi me armë zjarri në lagjen “Vullnetari” të Elbasanit.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 20:30, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me pistoletë në drejtim të A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç dhe B. H., 19 vjeç, të cilët ndodheshin në verandën e një lokali. Të tre të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e ngjarjes, brenda lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Sapo dëgjoi të shtënat, ai doli menjëherë dhe u vu në ndjekje të autorit.
Gjatë largimit, autori hodhi armën e zjarrit dhe arriti të largohej në brendësi të lagjes. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po zhvillojnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe mbledhjen e provave që do të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu