Detaje të reja kanë dalë nga atentati me armë zjarri i ndodhur mbrëmjen e së hënës në Elbasan. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se objektivi i sulmit nuk ka qenë asnjëri prej të plagosurve, por një person tjetër që ndodhej në ambientet e lokalit.

Sipas të njëjtave burime, katër personat e plagosur janë qytetarë të rastësishëm që u gjendën në vendin e ngjarjes në momentin e të shtënave. Ata kanë marrë plagë të lehta dhe, pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndodhen në banesat e tyre.

Hetimet janë përqendruar te e kaluara kriminale dhe aktiviteti në fushën e narkotikëve, si pista kryesore që mund të ketë çuar në organizimin e atentatit.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar autorin të maskuar me një maskë silikoni dhe paruke me flokë të gjatë biondë, duke krijuar pamjen e një gruaje. Megjithatë, sipas hetuesve, bëhet fjalë për një mashkull, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të sulmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu