
Spanja është shpallur kampione e Botës për herë të dytë në histori, pasi mposhti Argjentinën 1-0 pas kohës shtesë në finalen e zhvilluar në stadiumin “New York New Jersey”.
Pas 90 minutave të rregullta të mbyllura pa gola, ndeshja u vendos në shtesë, ku “La Roja” shpërbleu dominimin e saj me golin e Ferran Torres në minutën e 106-të.

Aksioni fitues nisi nga Pedro Porro, i cili dërgoi një top Nico Williams e mbajti në lojë me një pasim me kokë drejt zonës, ndërsa Ferran Torres kontrolloi dhe goditi fuqishëm në tavanin e rrjetës, duke mposhtur portierin argjentinas.
Goli erdhi pasi Argjentina kishte mbetur me një lojtar më pak. Enzo Fernández u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në fundin e kohës së rregullt, duke e lënë kampionen në fuqi me dhjetë futbollistë për pjesën shtesë.
Spanja ishte skuadra më kërkuese gjatë gjithë finales, krijoi më shumë raste dhe dominoi zotërimin e topit, ndërsa Argjentina u përqendrua kryesisht në mbrojtje dhe tentoi ta çonte sfidën drejt penalltive me disa raste të rrezikshme në fund.

Për Lionel Messin, kjo ishte mundësia për të mbrojtur titullin e fituar në Katar në vitin 2022, por Argjentina nuk arriti të reagojë pas golit të Torres dhe u dorëzua përballë presionit spanjoll.
Me këtë sukses, Spanja fiton Kupën e Botës për herë të dytë në historinë e saj, pas triumfit të vitit 2010, ndërsa Ferran Torres hyn në historinë e futbollit spanjoll si autori i golit që riktheu “La Roja”-n në fronin e botës.






