
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se po bllokon prej javësh nismat ligjore të opozitës, ndërsa u shpreh se Kuvendi po trajton me standarde të dyfishta deputetët.
Gjatë fjalës në seancën plenare, Bardhi deklaroi se katër projektligje të depozituara nga opozita janë lënë pa u shqyrtuar, ndërkohë që iniciativa të paraqitura më vonë nga deputetët e shumicës kanë nisur procedurat parlamentare.
Sipas tij, kjo praktikë cenon funksionimin normal të Parlamentit dhe bie ndesh me parimin e barazisë mes deputetëve.
Bardhi kërkoi që Kuvendi të përfshijë menjëherë në rendin e ditës katër nismat e opozitës, të cilat lidhen me shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, ndryshimet për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe të ashtuquajturën Paketa e Maleve.
“Nuk mund t’i trajtoni deputetët si ca të nënës dhe ca të njerkës”, deklaroi Bardhi, duke i bërë thirrje shumicës që të respektojë të drejtat parlamentare të opozitës.






