
Përplasja ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijon të përshkallëzohet, ndërsa presidenti Donald Trump deklaroi se sulmet e fundit amerikane u kryen “në nder të ushtarëve të rënë” pas goditjeve iraniane ndaj forcave amerikane në Jordani.
“Ne e goditëm Iranin shumë fort dhe e bëmë këtë në nder të patriotëve tanë që humbën jetën duke luftuar që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”, u shpreh Trump.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), forcat amerikane kanë zhvilluar natën e nëntë radhazi të bombardimeve ndaj objektivave ushtarake iraniane. Sulmet kanë në shënjestër qendra komanduese, sisteme të mbrojtjes ajrore, baza raketore, pozicione dronësh dhe infrastrukturë detare.
Nga ana tjetër, Irani pretendon se ka goditur me raketa dhe dronë disa baza ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Jordani. Garda Revolucionare njoftoi se janë dëmtuar avionë amerikanë në aeroportin e Aqabas dhe është shkatërruar një sistem radarësh në bazën Ali Al Salem në Kuvajt. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet amerikane.
Tensionet janë rritur edhe në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin botëror të naftës. Autoritetet britanike të sigurisë detare njoftuan se një anije u godit nga një predhë e paidentifikuar pranë brigjeve të Omanit. Ekuipazhi u evakuua me sukses, ndërsa anija vazhdon të digjet dhe lundron jashtë kontrollit.
Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se dy cisterna nafte shpërthyen pasi tentuan të kalonin Ngushticën e Hormuzit pa autorizimin e Teheranit.
Në zhvillime të tjera, Irani i kërkoi Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) të dënojë sulmet amerikane ndaj centralit bërthamor në ndërtim në Darkhovin, ndërsa konfirmoi se kontaktet diplomatike me SHBA-në vazhdojnë përmes ndërmjetësve.
Ndërkohë, çmimet e naftës kanë vijuar të rriten. Nafta Brent është ngjitur mbi 90 dollarë për fuçi, mes frikës se konflikti mund të ndërpresë furnizimet globale përmes Ngushticës së Hormuzit.






