
Protesta para Kuvendit është shoqëruar me tensione, pasi një grup qytetarësh kanë goditur me vezë automjetet e drejtuesit politik të PS-së për Tiranën, Bledi Çuçi, dhe ministres Mirela Kumbaro.
Ngjarja ndodhi në momentin kur automjetet e tyre hynë në ambientet e rrethuara të Parlamentit, pak para nisjes së seancës plenare.
Protestuesit ishin mbledhur rreth një orë më herët për të pritur mbërritjen e deputetëve. Ata mbanin me vete vezë, në të cilat kishin shkruar emrat e kryeministrit Edi Rama dhe të disa deputetëve, si dhe këmbore, të cilat i përdorën si simbol proteste.
Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje si “Parlamenti i krimit”, “Nuk na përfaqësoni” dhe “Dele të Ramës”, ndërsa protestuesit akuzuan deputetët se veprojnë sipas urdhrave të kryeministrit.
Në një moment ata i ranë njëzëri këmboreve dhe hodhën parulla kundër mazhorancës, duke deklaruar gjithashtu se Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët.
Protesta u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, ndërsa deri tani nuk raportohen incidente të tjera apo persona të shoqëruar nga policia.






