Debati që po shohim këto ditë në Shqipëri nuk ka të bëjë aq shumë me individët sa me një model të vjetër politik dhe shoqëror: mënyrën si ndërtohen dhe rrëzohen “heronjtë” brenda natës.

Rasti i Ervin Salianji dhe Elisa Spiropali është tipik. Të dy për vite me radhë janë perceptuar si figura tërësisht të rreshtuara me linjën e partisë dhe liderit përkatës. Madje, në diskursin publik shpesh janë etiketuar si ndër më të bindurit, deri në servilizëm. Nuk është se kjo është një gjë e re në politikën shqiptare – përkundrazi, është normë.

Por çfarë ndodh sapo raporti i tyre me lidershipin kriset?

Papritur, një pjesë e opinionit publik, sidomos kampi kundërshtar, i “zbulon” si zëra të lirë, si rebelë, si figura që “më në fund po thonë të vërtetën”. Ky transformim i menjëhershëm nuk vjen nga një analizë e thellë e qëndrimeve të tyre ndër vite, por nga një refleks i thjeshtë: “armiku i armikut tim është miku im”.

Këtu qëndron hipokrizia.

Sepse po të jemi të ndershëm, pyetja thelbësore nuk është nëse ata sot kanë të drejtë apo jo. Pyetja është:
ku ishin këto qëndrime dje, kur ishin në kulmin e pushtetit apo mbështetjes politike?

Nëse një politikan hesht për vite me radhë dhe bëhet kritik vetëm pasi humbet statusin, postin apo mbështetjen, atëherë motivi duket më shumë personal sesa parimor. Dhe kur publiku e di këtë, por sërish e glorifikon, problemi nuk është vetëm te politikani – është edhe te mënyra si ne konsumojmë politikën.

Shqipëria ka një prirje të fortë për të kaluar nga ekstremi në ekstrem:

dje “servil”, sot “hero”, dje “armik”, sot “shpëtimtar”

Pa një filtër kritik, pa kujtesë kolektive, pa standarde të qëndrueshme.

Rasti i Edi Rama dhe mënyra si janë ndërtuar figurat rreth tij ndër vite e tregon këtë: njerëzit promovohen si figura të forta sa kohë janë në linjë, por sapo dalin jashtë saj, narrativa ndryshon, nga të dyja palët.

Në fund, kjo nuk është vetëm çështje e dy emrave konkretë.
Është simptomë e një kulture politike ku: besnikëria shpërblehet më shumë se mendimi kritik dhe “rebelimi” vlerësohet vetëm kur i shërben një pale tjetër

Ndaj pyetja “çfarë populli jemi?” ka një përgjigje më të ftohtë sesa emocionale:
jemi një publik që ende reagon më shumë ndaj momentit sesa ndaj koherencës.

Harruam Mamicën e Ramës që blasfemonte duke krahasuar shefin e saj me Skënderbeun apo Salianjin që ngriti hurin kundër të vetëve e mbolli flokët në burg duke u hequr si viktimë e fjalës së lirë.

Dhe për sa kohë kjo vazhdon, do të shohim të njëjtin cikël:
nga duartrokitjet pa kushte → te zhgënjimi → te heroizimi i radhës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu