
Ndërsa banorët vendas protestojnë kundër uzurpimit të plazhit të Pishë-Poros në Nartë për ndërtimin e një resorti të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dokumentet e siguruara nga BIRN zbulojnë se pas projektit turistik fshihet një rrjet kompanish dhe individësh me të shkuar të dyshimtë – të përfshirë në procedime penale dhe konflikte pronësie ende të pazgjidhura.
NgaVladimir Karaj
policia gjatë protestës së banorëve dhe ambjentalistëve më 23 majit para gardhit me tela me gjemba të rrethimit në zvërnec foto kortezi ppnea (3) (1)
Policia gjatë protestës së banorëve dhe aktivistëve mjedisorë, më 23 majit para gardhit me tela me gjemba të rrethimit në Zvërnec | Foto kortezi PPNEA
Dhjetëra banorë vendas dhe aktivistë u mblodhën të shtunën, më 23 maj, në lagunën e Nartës për të protestuar kundër rrethimit me tela me gjemba të plazhit të Pishë Poros – pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë – nga një kompani ndërtimi, e cila ka siguruar leje nga qeveria shqiptare për zhvillimin e një resorti masiv turistik në zonë.
Protestuesit mbanin në duar banderola në mbrojtje të natyrës dhe kundër oligarkisë – biznesmenëve vendorë të lidhur me qeverinë, të cilët ata i akuzojnë se po ua rrëmbejnë në mënyrë të paligjshme pronat.
“Vlora e Shqipërisë! Jo e mafies, jo e oligarkisë”, shkruhej në një nga parullat që mbanin protestuesit, ndërsa u përballën me një kordon policësh të thirrur për të mbrojtur kantierin dhe makineritë e rënda.
Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë. Media amerikane e ka lidhur projektin me dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Por dokumentet e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se, pas profilit publik të sofistikuar të familjes presidenciale amerikane, fshihet një rrjet vendor individësh dhe kompanish, ku përfshihet një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati.
Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, pavarësisht lejes së zhvillimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, KKTU, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Ata nuk pyesin. Janë shumë të fortë, sepse kanë pushtetin”, tha Minella Balliu, një prej banorëve të përfshirë në betejat ligjore mbi pronën e Pishë Poros, i cili iu bashkua protestës së 23 majit.
Zyra e kryeministrit Edi Rama tha përmes një përgjigjeje me shkrim se KKTU nuk ishte përgjegjëse për të kontrolluar kartelat e pronësisë dhe konfliktet gjyqësore të lidhura me to, ndërsa theksoi se institucionet nuk punojnë “as me pretendime, as me hamendësime apo paragjykime, por me dokumentacion dhe mekanizma ligjorë”.
“Fakti që ka apo nuk ka pretendues dhe procese lidhur me një pronë apo një tjetër, nuk ka asnjë lidhje me procesin ligjor të shqyrtimit të aplikimeve për leje ndërtimi,” deklaroi Kryeministria.
“Ndërkohë, kartelat e pasurive të paluajtshme nuk janë objekt hetimi apo gjykimi nga organet ekzekutive të shtetit,” shtoi ajo.
Pronarë në parajsë
rrethimi me gardh dhe tela me gjemba i zvërnecit përpara vendit të qujatur plazhi i dajlanit. foto kortezi nga roger hamilton martin
Rrethimi me gardh dhe tela me gjemba i Zvërnecit përpara vendit të quajtur Plazhi i Dalanit. Foto kortezi nga Roger Hamilton Martin
Bregdeti i Zvërnecit dhe i Pishë Poros, një nga peizazhet më të paprekura të Adriatikut shqiptar, me plazhe ranore dhe shkëmbinj të thepisur që zbresin drejt detit, ka qenë prej vitesh në qendër të interesit të ndërtuesve dhe investitorëve turistikë për zhvillim.
Për shkak të natyrës së pacenuar dhe lagunës që strehon shpendë migrues si flamingot, zona mban statusin e Peizazhit të Mbrojtur, ndërsa brenda saj gjenden tre monumente natyrore: laguna e Limopuos, ishulli i Manastirit dhe dunat e rralla të rërës ku folezojnë breshkat detare.
Megjithatë, kjo nuk i ka penguar qeveritë ndër vite të miratojnë plane zhvillimore, ndërsa biznesmenë të njohur kanë “magazinuar” prej kohësh qindra mijëra metra katrorë tokë nga Triporti deri në grykëderdhjen e Vjosës, duke i blerë ato nga pronarë shpesh të kontestuar ose të përfshirë në procese gjyqësore.
Rruga për zhvillimin e zonës u hap në vitin 2021, kur qeveria uli statusin e mbrojtjes së ekosistemit Pishë Poro-Nartë, e reduktoi atë me mbi 5 mijë hektarë dhe dha leje për ndërtimin e një aeroporti në Akërni.
Në mars 2024, pak pasi ndryshimet e kontestuara në ligjin për Zonat e Mbrojtura i hapën rrugë ndërtimeve me pesë yje, Jared Kushner deklaroi për median amerikane planet e tij për të investuar në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Sipas planeve fillestare, në Zvërnec parashikohej ndërtimi i rreth 10 mijë njësive akomoduese përgjatë rripit të gjelbër që ndan lagunën e Nartës nga deti.
Në gusht 2024 u themelua shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila zotërohet nga një zinxhir kompanish guackë nën menaxhimin e trustit holandez “Dutch Trust Management B.V.”.
Një prej kompanive në këtë zinxhir offshore, “Blue Industries Investment Holding B.V.”, zotërohet nga pesë individë anonimë nga Shqipëria, emrat e të cilëve mbrohen ligjërisht pasi asnjëri nuk zotëron më shumë se 25% të aksioneve.
Brenda tetë muajsh nga themelimi, kjo kompani siguroi dy leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pikërisht mbi zonat ku Jared Kushner ka deklaruar se do të investojë.
Dokumentet e marra nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, AZHT, tregojnë se është aplikuar për një leje që parashikon 47 mijë metra katrorë ndërtime në një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh në Pishë Poro, me një investim të deklaruar prej 2.6 miliardë lekësh.
Kompania offshore ka lidhur kontrata sipërmarrjeje me individë dhe kompani që figurojnë pronarë të mbi 2.5 milionë metrave katrorë tokë, ose 251 hektarë, në Zvërnec dhe Nartë.
Dokumentet e AZHT-së dhe një sërë vendimesh gjyqësore tregojnë se origjina e këtyre pronave lidhet ngushtë me biznesmenin kontravers nga Vlora, Artur Shehu, i cili banon në SHBA, dhe me ish-avokatin e familjes së tij, Pëllumb Petritaj, i akuzuar disa herë për falsifikim dokumentesh.
Shehu dhe persona të lidhur me të – mes tyre Ferdinant Sulaj – kanë nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë zhvilluese si pronarë të parcelës me sipërfaqe prej rreth 108 hektarësh tokë.
Aktualisht, ai dhe të afërm të tij janë palë në disa procese gjyqësore për pronat e përfshira në këtë projekt. Edhe pse jeton jashtë vendit prej dekadash, Shehu rezulton ndër përfituesit më të mëdhenj të një sërë skemash të hetuara për tjetërsim pronash në Vlorë.
Një pjesë e këtyre hetimeve, të lidhura me parcela toke në gadishullin e Karaburunit, janë mbyllur me konfiskimin e pronave, ndërsa procedime të tjera janë ende në gjykim.
Vetë Shehu nuk është nën akuzë. Emri i tij është lidhur herë pas here me aktivitete kriminale dhe u përmend së fundmi në një dokumentar të televizionit italian “Rai” për hetime të mëparshme lidhur me organizatën mafioze, Sacra Corona Unita.
Shehu nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa një avokate e tij në Vlorë tha se nuk kishte më tagër përfaqësimi. Sulaj ishte gjithashtu i paarritshëm.
Një tjetër sipërfaqe prej 78 mijë metrash katrorë zotërohet nga Feriare Ndreu (Petritaj), vajza e Pëllumb Petritajt. Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i dënuar në shkallë të parë dhe i arrestuar disa herë.
Ai ka qenë me masë sigurimi “arrest shtëpie” deri në mesin e vitit të kaluar dhe mbetet ende nën masë sigurimi, në pritje të përfundimit të proceseve penale në Apel për falsifikimin e dokumenteve që i dhanë prona masive familjes Shehu në bregdet, përfshirë pronat e lidhura me resortin në Pishë Poro dhe zonat përreth tij.
Në një reagim publik në maj 2024, Petritaj pretendoi pafajësi për veten dhe për Shehun. Vajza e tij nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.
Ndërkohë, një tjetër palë në kontratën e sipërmarrjes është kompania “AM-Invest”, e cila zotëron 25 mijë metra katrorë tokë. Kjo kompani është në pronësi të familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ish-gjyqtari zotëron 25% të aksioneve, të dhuruara nga nëna e tij, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga babai dhe vëllai i tij.
Malaj ka gjithashtu një histori me pronat në këtë zonë, pasi ka dhënë dy vendime lidhur me to. Një vendim civil në vitin 2013, që i njohu familjes Shehu 156 hektarë tokë në këtë zonë, duke përmbysur vendimin e Shkallës së Parë; si dhe një vendim penal në vitin 2019, ku ai, në cilësinë e relatorit – në një trup gjykues ku bënin pjesë edhe ish-gjyqtari Agim Bendo e ish-gjyqtarja Shpresa Beçaj – pushoi çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj Pëllumb Petritajt. Të dyja këto vendime u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në arsyetim.
Malaj dha dorëheqjen në vitin 2020 dhe u përjashtua nga sistemi i drejtësisë nga procesi i vetingut në shkurt 2021. Me rreth 1.7 milionë euro pasuri të deklaruar, ai konsiderohej një nga gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Gjatë procesit të vetingut, Malaj pretendoi se po bëhej viktimë e një komploti.
Ish-gjyqtari ishte i paarritshëm për koment, por vëllai i tij, Agron Malaj, mohoi kategorikisht që toka në pronësi të kompanisë së tij të kishte lidhje me vendimet e dhëna nga i vëllai.
“Këto vendime nuk kanë lidhje me pasurinë”, tha ai, ndërsa shpjegoi se toka ishte blerë për rreth 80 milionë lekë përmes kompanisë nga një biznesmen i palidhur me familjen Shehu në vitin 2021.
“Toka është blerë nga unë përmes kompanisë dhe është paguar me bankë”, shtoi ai.
Sipërfaqja më e madhe në projekt, rreth 1.2 milionë metra katrorë tokë, zotërohet nga “South Adriatic Development”, një kompani në pronësi 100% të Redi Strugës përmes “Smart Construction Invest”.
Struga është inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k. Kompania e Strugës i ka blerë pronat nga zotërues të tjerë, përfshirë kompaninë “SERE” të grupit Balfin. Struga shërben përmes kompanisë “Albanian Land Development” si ura lidhëse me vëllezërit miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat nga Katari, të cilët investojnë krah Kushnerit. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve mbi rolin e tij në këtë projekt.
Lista e bashkëzhvilluesve mbyllet me kompaninë “Ferdinant”, e regjistruar për prodhimin e mobilieve dhe në pronësi të biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u vra në fillim të vitit 2025 në rrethana ende të paqarta, por që dyshohet se lidhen me një konflikt pronësie në Tiranë.
Kompania e tij zotëron 94,500 metra katrorë tokë, ndonëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit figuron në proces likuidimi që prej vitit 2009.
Dora e “padukshme” e Kastratit
ivanka trump dhe kryeministri edi rama në një foto grupi ku është i pranishëm musa kastrati. foto e qarkulluar në media
Ivanka Trump dhe kryeministri Edi Rama në një foto grupi ku është i pranishëm Musa Kastrati.
Për dy ditë me radhë, në fund të janarit, qetësia e fshatit piktoresk të Zvërnecit u prish nga masat e rrepta të sigurisë dhe një eskortë e gjatë fuoristradash të zeza.
Zona buzë lagunës së Nartës u shndërrua përkohësisht në qendër të vëmendjes për shkak të pranisë së Ivanka Trump, vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara. E rrethuar nga një shpurë arkitektësh dhe biznesmenësh, ajo vizitoi manastirin e vjetër të Shën Mërisë dhe u takua me kryeministrin Edi Rama.
Në takime, siç del nga një fotografi e publikuara gjerësisht në media, ishte i pranishëm edhe Musa Kastrati, djali i biznesmenit Shefqet Kastrati.
Ky i fundit është zotërues i Kastrati Group, një konglomerat që kontrollon pjesë të mëdha të tregut në një sërë sektorësh strategjikë, nga tregu i karburanteve dhe sigurimet deri te menaxhimi ekskluziv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa është i përfshirë edhe në projekte madhore në turizëm dhe pasuri të paluajtshme.
Grupi është akuzuar për favorizime nga qeveria, përfshirë marrjen e koncesioneve dhe pasurive publike me çmime simbolike. Disa projekte të tij, si në rastin e portit të Limionit, janë nën hetim për shkelje të ligjit.
Prania e Musa Kastratit në takimet e Ivanka Trump në Shqipëri dhe në Zvërnec nuk ishte përmendja e parë e tij në lidhje me projektet për resorte në gadishullin e vogël dhe në ishullin e Sazanit. Në mars 2024, Kastrati u citua nga The New York Times të thoshte se kompania do të kishte një rol në projektet që Kushner do të zhvillonte në Shqipëri, por se ky rol ishte ende i papërcaktuar.
Biznesmenë që zotërojnë sipërfaqe toke në zonën përreth projektit pohuan gjithashtu rolin e Kastratit aty, ndërsa i thanë BIRN-it, në kushte anonimati, se Musa Kastrati u kishte propozuar bashkëpunim ose blerje të pronës.
Emri i kompanisë u lakua menjëherë edhe pas fillimit të punimeve për rrethimin e peizazhit të mbrojtur për zhvillimin e projektit, pasi aktivistët fotografuan makineri të kompanisë në zonë. Banorë të Zvërnecit dhe pretendues të pronës ku po zhvillohen punimet u përballën po ashtu me persona të lidhur me kompaninë Kastrati, kur kundërshtuan ngritjen e rrethimit.
“Një miku im më ftoi për kafe dhe më tha se më kërkonte për takim nipi i Kastratit [Shefqetit]”, tha Minella Balliu në një bisedë telefonike. Ai tregoi se më pas takoi një person që u prezantua si Dervish Dina.
Edhe Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec, tha në një bisedë telefonike me BIRN se, kur kërkuan takim me drejtuesin e projektit – pasi u përballën me punëtorët që ndanë me gardh fshatin nga pjesa e bregdetit – u takuan sërish me Dinën.
Dina rezulton një person i lidhur me Musa Kastratin, me të cilin ka qenë ortak në kompaninë “KST Advertising”. Kompania ka ndërruar disa herë pronësi përmes shitjes, dhurimit dhe anulimit të kontratave – nga Dina te Musa Kastrati, më pas te një kompani e grupit dhe së fundmi sërish në pronësi të Dinës.
Sipas dy të intervistuarve, Dina është prezantuar në rolin e një drejtuesi teknik dhe u ka premtuar takime me përfaqësues të kompanisë zhvilluese në këmbim të heshtjes për mediat.
Pavarësisht nëse ka një rol të drejtpërdrejtë në projekt apo përmes personave dhe kompanive të lidhura, Kastrati Group u distancua nga punimet, duke mos iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga ambientalistët.
“Ashtu siç është bërë publike nga media, por edhe nga informacionet zyrtare, kompania e cila po kryen punime dhe ka në projekt ndërtimin në zonën e Zvërnecit është ‘Zvërnec South Adriatic Development’. Besoj se pyetjet tuaja duhet t’i drejtohen kësaj kompanie”, tha në një përgjigje për BIRN zëdhënësja e kompanisë.
Kompania Zvërnec South Adriatic Develompent nuk qe e arritshme për koment përmes telefonit. Ndërkohë, në adresën e reklamuar në QKB, pranë European Trade Center në katin e 12, nuk u gjet zyrë me emrin e kompanisë dhe personat e shërbimit nuk ishin në dijeni të saj.
Musa Kastrati nuk ishte i arritshëm për koment. Ndërkohë, Dervish Dina, pasi iu përgjigj një telefonate, u ankua për mungesë sinjali dhe ndërpreu komunikimin.
Konflikti i pronave dhe karuseli i vendimeve të gjykatave
protesta e 23 majit në zvërnec dhe telat me gjemba te rrethimit foto kortezi ppnea (5) (1)
Protesta e 23 majit në Zvërnec dhe telat me gjemba te rrethimit | Foto kortezi PPNEA
Që kur dëgjuan për planet për resortin turistik, të shoqëruara me emrat e Kushner dhe Trump, banorët e Zvërnecit – të përfshirë në një konflikt prej dy dekadash për tokat në zonë – u alarmuan. Në televizion shikonin se si pylli, livadhet dhe plazhi ku ishin rritur projektoheshin me vila në rendera 3D, ndërsa ata vetë ishin tërësisht në errësirë dhe pa informacion.
Për më shumë se dy vjet, çdo zhurmë e vogël dhe interesi i madh i medias ndërkombëtare ua mbajti gjallë ankthin se po humbisnin përfundimisht aksesin në tokën që thonë se e kanë trashëguar nga gjyshërit dhe që do të donin t’ua linin trashëgim fëmijëve.
Makthi u bë realitet për ta në fund të prillit 2026, kur panë për herë të parë makineritë e rënda në zonë. Pak ditë më vonë, aty u ngrit një gardh metalik që rrethon mbi 1 milion metra katrorë dhe u ndalon atyre aksesin në plazhin ku janë rritur dhe në pronat e pretenduara të të parëve, në zonën kadastrale 3951.
“Tani na kërkojnë vizë për të hyrë në tokat tona,” thotë i dëshpëruar Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec, në një bisedë telefonike me BIRN.
Minella Balliu u gjend përballë një gardhi të ngjashëm në veri të Zvërnecit, në Pishë Poro. Aty ndodhet zona kadastrale 1007 dhe janë rrethuar mbi 1.3 milionë metra katrorë tokë.
“Na kanë nxjerrë me forcë nga prona jonë,” ankohet ai.
Të dyja sipërfaqet kontestohen në gjykatë prej të paktën dy dekadash. Zona 3951 kontestohet mes banorëve të Zvërnecit dhe familjes Shehu, në një konflikt që, sipas dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive të banorëve, shtrihet pas që në vitet ’30.
Banorët këmbëngulin se e kanë pronën të trashëguar dhe se e rifituan të drejtën mbi të përmes ligjit 7501 “Për tokën”, por një sërë vendimesh administrative të viteve 2006-2009 ia njohën të drejtën familjes Shehu dhe një pjesë e konsiderueshme e pronës, sipas dokumenteve kadastrale që disponon BIRN, iu njoh Artur Shehut.
Në vitin 2013, një vendim i Gjykatës së Vlorës, e vënë në lëvizje nga banorët e fshatit, u dha këtyre të fundit të drejtë dhe anuloi vendimet që ia kishin njohur pronën familjes Shehu.
Por çështja u apelua dhe, pasi mbeti e pazgjidhur për vite të tëra në Apel, u rikthye një vit më parë për plotësim në Gjykatën e Vlorës. Banorët ende presin rifillimin e gjyqit, ndërsa shohin se prona po rrethohet dhe tjetërsohet përfundimisht.
“Po tallen me ne. Të gjithë këta – me kadastër e me gjykata – po tallen me ne”, thotë Konomi.
Konflikti i dytë, ai në zonën kadastrale 1007, është edhe më i ndërlikuar. Këtu përballen të paktën tre palë: pretendimet e familjes Shehu, ato të familjes Moçka, familja e Minella Balliut dhe, me gjasë, edhe të tjerë që pretendojnë trashëgimi nga paraardhësit në zonë.
“Kam 30 vjet gjykatave. Nuk ka njeri me dosje më të plotë se unë”, thotë i revoltuar Minella Balliu, i cili pretendon se, përveç çështjeve civile, përballet edhe me procese penale si i paditur dhe paditës.
Çështja e kësaj prone i ka kaluar një herë të tre shkallët e gjyqësorit, si çështje penale ashtu edhe civile. Çështja penale nisi me dënimin në Gjykatën e Shkallës së Parë të Pëllumb Petritajt dhe të një punonjëseje të Arkivit të Shtetit për falsifikimin e përkthimit të një dokumenti të Perandorisë Osmane.
Në Apel, një trup gjykues me relator Alaudin Malajn pushoi akuzat ndaj Petritajt për përdorimin me vetëdije të dokumentit fals, por në qershor 2024 Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykimin e çështjes, duke theksuar se “falsiteti i këtij dokumenti ka rezultuar i provuar”.
Në krahun civil, çështja nis në vitet 2012-2013. Fillimisht, Gjykata e Tiranës rrëzoi një padi të ngritur nga Pëllumb Petritaj në favor të familjes Shehu.
Në Apel, me një vendim të gjyqtarit Alaudin Malaj, familjes Shehu iu njoh pronësia në zonë. Vendimi u prish nga Gjykata e Lartë dhe u kthye për rigjykim në shkallën e parë. Më 26 maj të vitit të kaluar, gjyqtari Enkel Peza ia njohu sërish të drejtën e pronësisë familjes Shehu.
Në vendimin e ri nuk përmendet dokumenti i falsifikuar, edhe pse palët kundërshtare ia kanë sjellë atë në vëmendje gjykatës. Çështja është apeluar dhe mbetet ende në pritje të një zgjidhjeje gjyqësore.
Megjithatë, si banorët e Zvërnecit ashtu edhe pretenduesit e tjerë e shohin vendimmarrjen e KKTU-së për leje zhvillimi në zonë si një akt që i zhvesh ata nga e drejta e pronësisë dhe i vendos përballë faktit të kryer.
Qeveria pretendoi se nuk mund t’u jepte përgjigje shqetësimeve të banorëve, duke lënë të kuptohej se konfliktet penale dhe civile shqyrtohen nga gjykatat.
“Dyshimet apo hamendësimet tuaja lidhen qoftë me gjykatat, qoftë me prokuroritë, të cilat kanë të drejtën dhe detyrën t’i shqyrtojnë ato në bazë të kompetencave ekskluzive që u jep ligji”, përfundoi Kryeministria./Reporter.al






