Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka shprehur publikisht mbështetjen për protestat kundër projektit të resortit luksoz në Zvërnec, duke kritikuar mënyrën se si, sipas saj, janë ndryshuar ligjet për zonat e mbrojtura pa konsultim me qytetarët.

Media franceze France 24 i ka kushtuar një artikull protestave që kanë nisur që prej fundit të muajit maj kundër projektit të lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, i cili parashikon ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë natyrore të mbrojtur në bregdetin shqiptar.

Në artikull citohet deklarata e Dua Lipës, e bërë gjatë podcastit të saj Service95 Book Club, në një bisedë me shkrimtaren shqiptare Lea Ypi.

“Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, u shpreh artistja.

Sipas France 24, këngëtarja theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me një projekt të vetëm, por me mënyrën se si merren vendimet, duke nënvizuar nevojën për një model zhvillimi që mbështet komunitetet lokale.

Artikulli kujton se resorti u bë publik për herë të parë në vitin 2024, ndërsa protesta mori hov në fund të majit, pasi në zonë u vendosën tela me gjemba dhe nisën punimet me buldozerë.

France 24 vëren se kundërshtimi ndaj projektit është shndërruar në një simbol të pakënaqësive më të gjera ndaj qeverisë, me protestuesit që tashmë kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Reagimi i Dua Lipës është përshëndetur edhe nga aktivistja mjedisore Besjana Gurri, e cila tha për AFP se zëri i artistes është “një mesazh i fuqishëm” që mund të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj protestave në Shqipëri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu