Hong Kong ka hequr ndalimin për hyrjen e qenve në restorante, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj kafshëve shtëpiake dhe duke u bërë një shembull për vendet e tjera të Azisë Lindore.

Sipas Corriere della Sera, rregullat e reja u lejojnë pronarëve të marrin qentë me vete në mbi 900 restorante që marrin pjesë në fazën pilot të programit.

Vendimi konsiderohet historik për një rajon ku, në disa zona të Kinës, ende vazhdojnë traditat e konsumimit të mishit të qenit, megjithëse gjithnjë e më pak.

Rregullorja parashikon që qentë duhet të mbahen me zinxhir jo më të gjatë se 1.5 metra, të mos hipin mbi tavolina dhe të mos ushqehen me enët që përdoren nga klientët. Nuk lejohen gjithashtu racat e klasifikuara si “luftarake”.

Edhe pse restorantet nuk janë të detyruara të ofrojnë menu të posaçme për kafshët, ato mund t’u shërbejnë ushqim të paketuar. Shumë biznese kanë investuar në ambiente të përshtatura për kafshët, duke instaluar pastrues ajri, ndarëse, karroca për qen dhe produkte higjienike, me pritshmërinë që kjo nismë të rrisë xhiron deri në 15%.

Vendimi është pjesë e një politike më të gjerë “pet-friendly” në Hong Kong. Më herët autoritetet kanë lejuar transportin e kafshëve në disa linja tragetesh dhe metroje, ndërsa spitalet publike u japin mundësi pacientëve në kujdes paliativ të takojnë për herë të fundit kafshët e tyre.

Sipas të dhënave zyrtare, në Hong Kong jetojnë mbi 240 mijë familje me rreth 400 mijë qen dhe mace.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu